Akuzat ndaj legjendave të Unitedit: Sulmi ndaj një gruaje dhe 140 baste ilegale

  • 17 April 2019 - 14:14
Akuzat ndaj legjendave të Unitedit: Sulmi ndaj një gruaje dhe 140 baste ilegale

Tifozët e Manchester Unitedit janë goditur disa herë gjatë 24 orëve të fundit. Përveç eliminimit nga Liga e Kampionëve, në ndeshjen kundër Barcelonës, tani dy legjenda të klubit janë akuzuar për dy krime të ndryshme.

Trajneri i akademisë së Manchester Unitedit, Nicky Butt, u arrestua dje pasi u akuzua se e kishte sulmuar një grua. Ai është liruar nga stacioni policor deri në momentin kur të grumbullohet prova të mjaftueshme

Policia e Mançesterit kishte marrë një telefonatë të martën pasi një grua ishte sulmuar në shtëpinë e saj në Hale

“Gruaja kishte pësuar një prerje të lehtë në dorë dhe nuk pati nevojë për trajtim mjekësor në spital. Një 44-vjeçar është arrestuar pasi dyshohet se e kreu këtë sulm. Ai është liruar deri sa të grumbullohen informatat e nevojshme”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga policia.

Butt, i cili i kishte bërë 387 paraqitje për Manchester Unitedin gjatë viteve 1992-2004, u emërua si trajneri kryesor i akademisë së klubit në vitin 2016.

Ky lajm erdhi vetëm disa orë pasi Paul Scholes, bashkëpronar i klubit Salford City, u akuzua se kishte vënë mbi 140 baste mes gushtit të vitit 2015 dhe janarit të vitit 2019.

Një veprim i tillë bie në kundërshtim me rregullën E8 të Federatës së Futbollit të Anglisë, që thotë se lojtarët, trajnerët, gjyqtarët dhe stafi i klubit nuk kanë të drejtë të bëjnë baste nëse janë të punësuar nga një klub i Premierligës, Ligës së Futbollit të Anglisë, Ligës Kombëtare, Super Ligës së Grave, Ligës Veriore, Ligës Jugore dhe Ligës Isthmian.

Scholes ka kohë deri më 26 prill të vitit 2018 për t’iu përgjigjur këtyre akuzave. 

(Kosova Sot)