Trajneri i Baselit me fjalë të mëdha për Edon Zhegrovën

  • 17 April 2019 - 15:54
Trajneri i Baselit me fjalë të mëdha për Edon Zhegrovën

Trajneri i Baselit, Marcel Koller e ka lavdëruar Edon Zhegrovën, për të cilin beson se do të përmirësohet edhe më shumë në të ardhmen. Ndërkohë, e ka një këshillë për futbollistin kosovar

Edon Zhegrova debutoi nga minuta e parë për Baselin fundjavën që shkoi në ndeshje ndaj Grasshopperit, ku shkëlqeu për skuadrën e tij të re.

Ndeshja u mbyll pa gola, 0:0, por futbollisti kosovar bëri paraqitje brilante, pas të cilës u shpall lojtari i ndeshjes dhe më pas u fut në formacionin e javës në futbollin zviceran.

20 vjeçari nuk ka luajtur mjaftueshëm tek Baseli prej se u transferua në janar nga Genku.

Mirëpo, trajneri Marcel Koller e ka konfirmuar mbështetjen për talentin kosovar, të cilin e ka lavdëruar në konferencë për shtyp.

Trajneri i Baselit beson se përfaqësuesi kosovar mund të përmirësohet në të ardhmen, ndërkohë që e këshillon atë të punojë më shumë që të japë kontribut për ekipin.

“Zhegrova është një djalosh i ri, i hapur, i cili ka driblim të mirë dhe shpejtësi të duhur. Ka kualitete individuale dhe kjo shihet. Por, ai duhet të punojë më shumë në balancën ndërmjet punës në ekip dhe driblimit”, është shprehur fillimisht Koller.

“Në moshën 19 vjeçare, natyrisht se ai ka mundësi të mëdha për t’u përmirësuar”, ka përfunduar trajneri i Baselit.

Zhegrova nga ana e tij ka thënë se shpreson t’i jepet rasti më shpesh për të luajtur dhe për t’i treguar vlerat e tij.

Ish-futbollisti i Flamurtarit, Prishtinës dhe Genkut ka shtuar se synon të bëhet futbollist i madh i Baselit. 

(Kosova Sot)