Federata Shqiptare e Futbollit e bën Kosovën pjesë të Serbisë

  • 18 April 2019 - 12:51
Federata Shqiptare e Futbollit e bën Kosovën pjesë të Serbisë

Federata Shqiptare e Futbollit e bëri një gabim të madh në Asamblenë e Përgjithshme, i cili u vërejt vetëm më vonë.

Në takimin e Asamblesë së FSHF-së u bënë disa ndryshime dhe të gjithë të pranishmëve iu shpërnda një bllok me agjendën për gjithçka që do të ndodhë këtë vit.

Pikërisht ky bllok i FSHF-së e kapi vëmendjen e mediave pasi që në hartën që tregohet aty, Kosova shfaqet si pjesë e territorit të Sebisë. Ky gabim besohet të ketë qenë vetëm një lëshim teknik.

Federata e Futbollit të Kosovës ka pasur probleme me të ashtuquajturën Federatë Serbe e Futbollit në Kosovë (FSFK) gjatë kohës së fundit, për shkak se FSFK-ja tenton të organizojë gara në territorin e Kosovës dhe e ka emëruar presidentin Milan Radoiçiqin, i cili është i kërkuar nga Policia e Kosovës si i dyshuar për vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviqit.

FFK-ja është ankuar për këto veprime të FSFK-së dhe tani gjithçka pritet të zgjidhet në mbledhjen e ardhshme të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.

Pasi që presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, është anëtar i këtij Komiteti të UEFA-s, Kosova shpreson në ndihmën e tij dhe ky gabim me hartën nuk besohet se do të ndikojë në këtë proces. 

Image

(Kosova Sot)