Historia e Edon Zhegrovës, nga futbolli në rrugët e Prishtinës në yll të ri të Baselit

  • 18 April 2019 - 13:04
Historia e Edon Zhegrovës, nga futbolli në rrugët e Prishtinës në yll të ri të Baselit

Edon Zhegrova ka folur gjerë e gjatë për fillimin e karrierës, duke nisur nga koha kur kishte luajtur në rrugët e Prishtinë deri tek transferimi në Basel, ku synon të bëhet lojtar i madh.

Edon Zhegrova ishte në formacionin startues të Baselit kundër Grasshopperit të shtunën që shkoi.

Por, kush është djaloshi i ri që i është bashkuar Baselit dy muaj më parë, pyet portali “bzbasel.ch”, i cili ia ka kushtuar një shkrim të veçantë futbollistit kosovar.

Pas paraqitjes së fundit, ku u zgjodh futbollisti i ndeshjes, njerëzit në Zvicër kanë nisur ta shohin me një sy ndryshe Edonin.

Kjo e bën atë të buzëqesh dhe të ndihet mirë.

“Është një ndjenjë thjesht fantastike. Është perfektë. Unë e dua këtë periudhë”, thotë Zhegrova në fillim të intervistës.

Ai tregon se si ka nisur të luante në rrugët e Prishtinës si fëmijë, aty ku e shijonte në maksimum këtë sport, pasi futbolli për të është jetë.

“Kur luan futboll në rrugë, e njeh domethënien e vërtetë të këtij sporti. E do futbollin më shumë”, shton Zhegrova.

Nga mëngjesi deri në mbrëmje, ai endej rrugëve të kryeqytetit kosovar duke luajtur futboll, gjithmonë me topin në këmbë ose me topin prapa.

“Më pëlqente të luaja në rrugë sepse isha i lirë të bëja çka të doja. Mund të bësh trike, pasime, të shënosh gola. Nuk ke çfarë t’i thuash askujt se çka duhet të bësh. Nuk ka trajnerë, nuk ka tifozë, nuk ka presion, asgjë”, tregon Edoni.

20 vjeçari më pas ishte regjistruar në shkollën e futbollit të Flamurtarit, prej nga kishte kaluar tek FC Prishtina.

Më tej, Zhegrova ishte transferuar në Genk, ndërsa tash 20 vjeçari është pjesë e Baselit, me të cilin debutoi nga minuta e parë fundjavën që shkoi.

Atë e quajnë “Messi i Kosovës” për shkak të shkathtësive të tij.

“Edhe kur isha i ri, shumë njerëz thoshin se po luaja si Lionel Messi. Mirëpo, unë nuk mendoj kështu. Unë jam Edon Zhegrova dhe nuk dua të luaj si dikush tjetër. Unë nuk jam Lionel Messi”, shton Zhegrova.

Edoni ishte lindur në Gjermani, ndërsa pas luftës familja e tij ishte kthyer në Kosovë.

Ai nuk flet gjermanisht, por thotë se do të mundohet ta mësojë këtë gjuhë.

“Familja ime kishte shkuar në Gjermani gjatë luftës. Më pas jemi kthyer në Kosovë. Unë nuk flas gjermanisht, por do të mundohem ta mësoj këtë gjuhë shumë shpejt”, shprehet ai.

Familja Zhegrova ishte kthyer në Kosovë kur Edoni ishte dy vjeç. Këtu edhe është rritur Zhegrova, ndërsa si 5 vjeçar i ishte bashkuar klubit.

“Megjithatë, unë vazhdoja të luaja në rrugë”, tregon ai.

Edoni i kishte entuziazmuar edhe trajnerët e akademisë së Milanit, kur gjiganti italian e kishte mbajtur një kamp në Kosovë vite më parë.

Pasi ai kishte nënshtetësi kosovare dhe Kosova nuk ishte e pranuar në UEFA e FIFA në atë kohë, transferimi tek gjiganti italian ishte komplikuar.

Më pas, ai ishte përcjellë edhe nga Paris Saint-Germaini, Arsenali e Barcelona, por ishte transferuar në Standard Liege si 15 vjeçar.

Sidoqoftë, ai e ëndërron ende Barcelonën, ndeshjet e të cilës i shikon vazhdimisht dhe e admiron këtë klub.

Vetëm për të shkuar në Belgjikë, Zhegrova e kishte sakrifikuar edhe familjen.

“Historia se si kam shkuar në Belgjikë është e komplikuar. Merr shumë kohë për ta sqaruar. Paraprakisht, skautët e patën përcjellë një ndeshje ku i kisha shënuar 5 gola. Ata më pas absolutisht më donin mua”, zbulon Edoni, familja e të cilit u transferua më pas po ashtu në Belgjikë.

“Prindërit e mi sakrifikuan shumë për mua. Ata dëshironin që unë të kem sukses në futboll. Kjo do të ishte e vështirë të arrihej në Kosovë. Ata e donin më të mirën për mua”, shton Zhegrova.

Kualifikimin në gjysmëfinale të Kupës e konsideron si njërin prej momenteve më të mira, por shton se gjatë karrierës ka pasur edhe kujtime të këqija.

Tash po mendon vetëm për Baselin, ku synon të bëhet lojtar i madh.

“Dëshiroja të vija këtu sepse shumë lojtarë të mirë kanë luajtur këtu”, thotë tutje Edoni, duke menduar për bashkëkombësit e tij, Xherdan Shaqiri e Granit Xhaka.

“Unë jam krenar me atë që e kanë arritur ata, e krenarë me ta janë të gjithë në Kosovë”, nënvizoi anësori i Kosovës.

Kosova është shtëpia e Zhegrovës, edhe pse ai shpejt mund ta marrë pasaportën belge, ndërsa e flet edhe gjuhën frënge.

Sidoqoftë, ai gjithmonë ka dashur të luajë vetëm për Kosovën.

“Ekipi kombëtar nuk është ta kërkosh një ekip më të mirë, por se për cilin vend të rrah zemra. Mua më rrahu për Kosovën. Atje jam rritur, atje është familja ime, atje janë miqtë e mi. Unë kënaqem kur shkoj atje. Është ndjenjë fantastike kur luaj për Kosovën”, përfundoi Zhegrova. 

(Kosova Sot)