Gazetat e mëdha italiane: Ronaldo largohet nga Juventusi

  • 18 prill 2019 - 14:13
Gazetat e mëdha italiane: Ronaldo largohet nga Juventusi

Pas eliminimit tronditës të Juventusit nga Liga e Kampionëve të martën, dy gazeta të mëdha italiane raportojnë se Cristiano Ronaldo do të largohet nga klubi para se t’i mbarojë kontrata. 

Juventusi do ta fitojë titullin e tetë radhazi në Serie A nëse e shmang humbjen këtë fundjavë kundër Fiorentinës, por pas humbjes nga Ajaxi në çerekfinale dhe eliminimi nga Liga e Kampionëve, do të jetë një festë e zymtë dhe plot trishtim për bardhezinjtë.

Ajaxi ia shuan Juventusit ëndrrën për të triumfuar në Ligën e Kampionëve me ndihmën e Ronaldos

Në Torino kishin shumë shpresa se Juve do t’i jepte fund pritjes së gjatë për kurorën e tretë evropiane, pasi e bleu Cristiano Ronaldon për 117 milionë euro verën e kaluar, por edhe pse ish-sulmuesi i Real Madridit e shënoi nga një gol në secilën ndeshje kundër Ajaxit, bardhezinjtë u eliminuan nga gara nga autsajderi holandez, i cili triumfoi me rezultat të përgjithshëm 3:2, pas fitores në Torino. 

Performanca e përgjithshme e Juventusit ka rënë këtë sezon, megjithatë, pasi është eliminuar edhe nga Kupa e Italisë në fazën çerekfinale, pas një humbje të rëndë 3:0 ndaj Atalantas.

Sezoni i ardhshëm mund të jetë i fundit për Cristianon në Itali

Natyrisht, Ronaldo nuk është aspak i lumtur me eliminimin, veçanërisht duke ditur kontributin e tij personal në këtë kauzë: para dy golave të tij kundër Ajaxit, ai realizoi një het-trik për t’ia siguruar Juves një rikthim ekip kundër Atletico Madridit në 1/8 e finales.

Dje, Corriere dell Sera shkoi aq larg saqë sugjeroi se një Ronaldo i zemëruar mund t’i thotë lamtumirë Juventusit këtë verë. 

Edhe pse një gjë e tillë mund të duket goxha e pamundur, një gazetë tjetër e madhe italiane, La Repubblica, raportoi se duket se superylli portugez nuk do të qëndrojë në Allianz Stadium deri në fund të kontratës së tij, e cila zgjat deri më 2022.

“Nuk është e mundur që Ronaldo të qëndrojë deri në fund të marrëveshjes. Sezoni i ardhshëm mund të jetë i fundit për të në Itali”, shkroi gazeta italiane. 

(Kosova Sot)