Si e “vodhi” Ter Stegeni letrën me taktikat e Manchester Unitedit

  • 18 April 2019 - 15:54
Si e “vodhi” Ter Stegeni letrën me taktikat e Manchester Unitedit

Gjatë ndeshjes të së martës në Camp Nou, portieri i Barcelonës, Marc-Andre ter Stegen, arriti ta lexojë letrën përmes së cilës trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, e udhëzoi Marcus Rashfordin për formacionin e ri.

Dy ditë kanë kaluar që kur Manchester Unitedi u eliminua nga Liga e Kampionëve kundër Barcelonës në Camp Nou. Por, tani është publikuar një video ku Marc-Andre ter Stegen shihet duke i lexuar udhëzimet e Ole Gunnar Solskjaerit.

Ky incident nuk u kap nga kamerat televizive gjatë transmetimit të ndeshjes, mirëpo televizioni spanjoll Gol e publikoi këtë video më vonë, ku shihet se si letra me ndryshimet në formacionin e Manchester Unitedit kalon nga ndihmëstrajneri Kieran McKenna te Marcus Rashfordi e pastaj te Ter Stegeni.

Barcelona e mori epërsinë prej një goli në Camp Nou, pasi e kishte mposhtur Manchester Unitedin me rezultat 1:0 në “Old Trafford” javën e kaluar. Të martën, Barcelona e përfundoi këtë punë në shtëpi, duke i turpëruar mysafirët me fitore 3:0, falë edhe dy golave të shënuar nga Lionel Messi.

Barcelonës i erdhi në ndihmë edhe një gabim i madh i portierit të Manchester Unitedit, David De Geas, i cili me atë gabim bëri që “Djajtë e kuq” ta pranonin golin e dytë për atë të natë të shënuar nga Messi.

Rezultati i kësaj ndeshje bëri që Manchester Unitedit të humbë me rezultat të përgjithshëm prej katër apo më shumë golave në fazën eliminatore të garës evropiane për herë të parë në histori të klubit.

Disfatat më të mëdha të mëhershme të klubit ishin: 5:2 kundër Milanit në gjysmëfinalen e Kupës Evropiane 1957/58 dhe 4:1 kundër Atletico Madridit në 1/8 e finales së Kupës së Fituesve të Kupës 1991/92. 

(Kosova Sot)