Dybala thyen heshtjen pas eliminimit nga Champions League me një mesazh emocionues

  • 18 prill 2019 - 18:18
Dybala thyen heshtjen pas eliminimit nga Champions League me një mesazh emocionues

Sezon për t’u harruar, kështu mund të konsiderohet edicioni 2018/19 për Paulo Dybala.

Vetëm pesë gola të shënuar në Serie A dhe një rol, që ende duhet t’i përcaktohet në skemat e lojës së Juventusit, dëmtime të shumta, mos pajtueshmëri me trajnerin, i lënë shpesh në stol – të gjitha këto e kanë përcjell argjentinasin këtë edicion me fanellën e “Zonjës së Vjetër”, sezon për t’u harruar.

Kulmi ishte dita e marte, kur Juventusi, me rezultat pozitiv nga ndeshja e parë (1-1), nuk ia doli të ndalojë një super Ajax, që triumfoi 1-2 në Torino dhe siguroi biletën për gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Argjentinasi luajti për 45 minuta në këtë takim. Ai u lëndua në pjesën e parë, për t’u mos u paraqitur më në pjesën e dytë, vendin e të cilit pas pushimit e zuri i riu, Moise Kean.

Ishte një mbrëmje zhgënjyese për të dhe për Juventusin, që me afrimin e Cristiano Ronaldos nga Real Madridi, besonin shumë se këtë vit, do t’ia dalin të rrëmbejnë trofeun me vesh, trofe që nuk e kanë fituar për më shumë se 20 vite.

Pas asaj humbje në shtëpi nga skuadra e talentuar e Ajaxit, pothuajse të gjithë lojtarët heshtën, por vetëm deri tani, pasi Dybala ka reaguar dhe ka bërë një postim në llogarinë e tij, Instagram.

“Kapitenët vuajnë edhe më shumë në humbje, ata kalojnë ngadalë, në heshtje. Dhimbja do të kalojë, por bukuria e sportit është se ka gjithmonë një tjetër trofe, një tjetër kupë, një tjetër sezon”, shkruan Dybala.

Mesazhi është i qartë, bart më shumë se një kuptim. Nëse zërat e medias e shohin në largim nga “Zonja e Vjetër”, vetë Dybala përdor Instagramin për t’i bërë gjërat të qarta.

Qëllimi i tij nuk është thjesht të përpiqet të fitojë përsëri, por ta bëjë këtë me fanellën e Juventusit.

25-vjeçari është pjesë e Juventusit që nga viti 2015.

Ai ka bërë 179 paraqitje për “Zonjën e Vjetër” dhe ka shënuar 78 gola. 

(Kosova Sot)