Prishtina favorite për titull

  • 19 April 2019 - 10:30
Prishtina favorite për titull

Fituan Kupën dhe në 28 xhiro nuk njohën fjalën humbje

Ndeshjet e “play-off”-it kanë nisur në basketbollin e Kosovës, me përballjet çerekfinale, derisa adrenalina do të rritet me ato gjysmëfinale dhe finale. Favorit absolut shihet Prishtina, që nuk ka pësuar asnjë humbje të vetme në garat vendore, duke fituar Kupën dhe në 28 xhirot e zhvilluara në Superligë. Kjo i bën bardhekaltrit favorit ndaj skuadrave të tjera

“Play-off”-i në elitën e basketbollit ka nisur me emocione të mëdha dhe ndeshje dramatike. Këtë edicion janë gjashtë skuadra në “play-off”, ku dy të para pushojnë. Por, ndeshjet çerekfinale ishin mjaft interesante. Ponte Prizreni e ka fituar ndeshjen e parë çerekfinale në udhëtim te Rahoveci me rezultat 70:71. Më të merituarit për fitoren e Ponte Prizrenit ishin Brandon Scott me 19 dhe Malcom Canada me 16 pikë. Te Rahoveci më të dalluarit ishin Fredrik Richardson me 18 dhe Deshon Minnis me 17 pikë të shënuara. Ndeshja e dytë do të zhvillohet në palestrën “Sezai Surroi” të premten në Prizren, ndërsa në gjysmëfinale kualifikohet skuadra që i shënon dy fitore. Faktikisht kjo përballje zgjati dy ditë, pasi të martën u prish ‘tabela e rrethit’, dhe u desh që të vazhdohej të mërkurën. Ndërkohë, Bashkimi e ka shfrytëzuar terrenin vendas dhe me një lojë të mirë në çerekun e fundit arriti të shënojë fitore ndaj Trepçës me rezultat 86:73. Më të merituarit për triumfin e Bashkimit ishin Jordan Capps me 27 pikë, Drilon Hajrizi me 17, Lamar Wofford me 15 dhe Ujkan Karanezi me 8 pikë. Te Trepça më efikasit ishin Samir Zekiqi me 21 pikë, Besnik Azemi me 16 dhe Arron Anderson me 12 pikë. Ndeshja e radhës do të zhvillohet në Mitrovicë, ndërsa plasmanin në gjysmëfinale e siguron ekipi që i pari arrin dy fitore.

Skuadër më e organizuar

Z Mobile Prishtina dhe Golden Eagle Ylli pushojnë në këtë fazë, por bardhekaltrit shihen favoritë absolut për titullin e kampionit. Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi, thotë se kryeqytetasit janë më të organizuar se skuadrat tjera. “E kam thënë edhe më parë se Z Mobile Prishtina në këtë edicion ka qenë më e organizuara deri më tani, dhe këtë e ka vërtetuar në kampionatin vendor, duke mos pësuar asnjë humbje në 28 ndeshje xhiro të zhvilluara. Gjithashtu fitoi edhe Kupën e Kosovës, pra nuk ka pësuar asnjë humbje në garat vendore. Por, ajo çka vlen të veçohet është edhe shkuara në mesin e 16 skuadrave më të mira në FIBA Europe Cup, ku kishte një prezantim shumë të mirë, dhe kjo ishte një përvojë shumë e dobishme për klubin e Z Mobile Prishtina. Kjo bën që Prishtina të jetë edhe më favorite në “Play-off”, madje favorite absolute për titullin e kampionit”, është shprehur Blerim Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”.

Një vit pa humbje

Pasi fituan Kupën e Kosovës në basketboll, kryeqytetasit do të mundohen të fitojnë edhe titullin, madje, të përfundojnë tërë edicionin pa asnjë humbje. Trajneri Krasniqi nuk do të befasohej nëse do të ndodhte kjo. “Sa i përket se a do të përfundoj këtë cikël garues pa asnjë humbje, kjo mbetet të shihet. Por, duke marrë parasysh formën e lojtarëve që ka Z Mobile Prishtina dhe skuadra tjera të Superligës, atëherë Prishtina është në përparësi, dhe shumë lehtë mund të ndodhë që të përfundoj tërë vitin pa asnjë humbje të vetme në të gjitha garat vendore. Të shpresojmë se ky “Play-off”, do të jetë më i suksesshëm se ai i kaluar dhe të ketë më shumë ndeshje të bukura dhe shikueshmëri më të lartë”, është shprehur tutje Blerim Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”.

Sipas Propozicioneve të Garave për edicionin 2018/19 pas përfundimit të edicionit të rregullt, 6 ekipet e para do të plasohen në “play-off”. Në raundin e parë ekipet që do të ndeshen janë 3-6 dhe 4-5 deri në dy fitore, kurse ekipet e renditura në pozitat 1 dhe 2 në raundin e parë do të pushojnë dhe në gjysmëfinale do të takohen me ekipet nga renditja 3/4/5/6

Gjysmëfinalet e “play-off”-it zhvillohen sipas formulës 1vs 4-5 , 2 vs 3-6. Plasmanin në finale e siguron ekipi që i pari arrin tri fitore. Gjysmëfinalet zhvillohen sipas formatit 2-2-1 dhe epërsinë e terrenit vendës e ka ekipi më lart i plasuar në edicionin e rregullt. Në finale të “play-off”-it takohen ekipet fituese të gjysmëfinaleve. Kampion i Superligës shpallet ekipi që i pari arrin tri fitore

(Kosova Sot)