Liverpooli si Man Unitedi, i hakmerret Barcelonës për rritjen e çmimit të biletave

  • 19 April 2019 - 10:33
Liverpooli si Man Unitedi, i hakmerret Barcelonës për rritjen e çmimit të biletave

Të pakënaqur me vendimin e Barcelonës për t’i rritur çmimet e biletave për ndeshjen mes dy skuadrave në Camp Nou, drejtuesit e Liverpoolit e kanë marrë iniciativën për t’ua paguar tifozëve të klubit të tyre një pjesë të çmimit të biletës, ashtu siç bëri Manchester Unitedi për fazën çerekfinale. 

Barcelona i ngriti çmimet e biletave për ndeshjen me Liverpoolin nga 87 në 118 euro. Mirëpo, tifozët e klubit anglez do t’i paguajnë prapëseprapë vetëm 87 euro.

Kjo pasi që 31 eurot e mbetura do të paguhen nga Liverpooli. Paratë për këto shpenzime, klubi anglez do t’i marrë nga fitimet prej shitjes së biletave për ndeshjen kundër Barcelonës në Anfield pasi që edhe tifozët katalonas do të detyrohen t’i paguajnë biletat me çmim të ngritur në shtëpinë e Liverpoolit.

Gjiganti i Premierligës, Liverpooli, e mposhti lehtësisht të mërkurën Porton, me rezultat 4:1, për ta siguruar një vend në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve me rezultat të përgjithshëm 6;1.

Pas kësaj arritjeje, skuadra e Jurgen Kloppit tani do të përballet me Barcelonën në gjysmëfinale të kësaj gare evropiane. Për ta siguruar vendin në gjysmëfinale, Lionel Messi i ndihmoi Barcelonës ta mposhtë Manchester Unitedin me rezultat të përgjithshëm 4:0. 

Ndeshja e parë gjysmëfinale mes këtyre dy skuadrave do të zhvillohet të mërkurën, më 1 maj në stadiumin “Camp Nou”, ndërsa finalisti do të vendoset në ndeshjen kthyese, më 7 maj, në stadiumin “Anfield”.

Gjysmëfinalja tjetër do të zhvillohet mes Tottenhamit, që të mërkurën e eliminoi në mënyrë dramatike Manchester Cityn, dhe Ajaxin, që të martën e tronditi Juventusin.

(Kosova Sot)