Reagimi i mrekullueshëm i Ter Stegenit pas gabimit të De Geas

  • 19 April 2019 - 10:35
Reagimi i mrekullueshëm i Ter Stegenit pas gabimit të De Geas

Marc-Andre ter Stegeni nuk e festoi golin e dytë të Barcelonës në ndeshjen çerekfinale të Ligës së Kampionëve kundër Manchester Unitedit, pasi që ai e ka të njëjtën pozitë me David de Gean, i cili e bëri një gabim të madh për këtë gol.

Lionel Messi shënoi dy herë në pjesën e parë të ndeshjes, duke i ndihmuar Barcelonës ta fitojë këtë përballje me Manchester Unitedin me rezultat 3:0 dhe ta sigurojë një vend në kuadër të gjysmëfinaleve, ku do të përballet me Liverpoolin.

De Gea, i cili shpeshherë vlerësohet si portieri më i mirë në botën e futbollit, e lejoi topin të rrëshqasë nën trupin e tij, pasi një goditjeje jo edhe aq të fuqishme të yllit të Barcelonës, Lionel Messit. 

Mirëpo, përderisa bashkëlojtarët e tij ishin duke e festuar me shumë emocione atë gol, portieri gjerman i Barcelonës nuk e festoi golin e madje edhe bisedoi me De Gean pas përfundimit të ndeshjes.

“Pas ndeshjes, i thashë De Geas se të gjithë jemi njerëz dhe se ajo gjë mund të më kishte ndodhur edhe mua. E vërteta është se unë s’munda ta festoj menjëherë atë gol sepse ai e ka të njëjtën pozitë me mua dhe unë e ndaj dhimbjen me të. Por, jeta vazhdon”, tha Ter Stegen.

Kjo goditje e argjentinasit e dyfishoi epërsinë e Barcelonës në ndeshjen kundër Manchester Unitedit, e cila përfundoi me rezultat 3:0. Katalonasit e siguruan një vend në gjysmëfinale pas fitores me rezultat të përgjithshëm 4:0.

Tani që ëndrrat për triumf në Evropë iu shuan, Manchester Unitedi do të përqendrohet që ta zë një vend në top katërshen e Premierligës. Të dielën ata do të përballen me Evertonin.

(Kosova Sot)