Zhegrova: Unë jam Edon Zhegrova, nuk jam Leo Messi

  • 19 April 2019 - 11:31
Zhegrova: Unë jam Edon Zhegrova, nuk jam Leo Messi

Përkundër që Lionel Messi konsiderohet nga shumë persona si futbollisti më i mirë i të gjitha kohëve, Edon Zhegrova preferon që njerëzit të mos e quajnë atë “Messi i ri” sepse beson se e ka stilin e vet të lojës.

Ylli i ekipit kombëtar të Kosovës dhe Baselit, Edon Zhegrova, i ka komentuar vlerësimet e njerëzve që thonë se stili i tij i lojës është i ngjashëm me atë të Lionel Messi. Ai është shprehur se nuk pajtohet me këto vlerësime

“Edhe kur isha i ri, shumë njerëz më thonin se luaj si Lionel Messi. Por, unë nuk mendoj ashtu. Gjithashtu them se nuk luaj si ai. Unë jam Edon Zhegrova, nuk jam Lionel Messi”, është shprehur Zhegrova për bzbasel.ch.

Zhegrova e regjistroi paraqitjen e tij të parë si titullar – dhe ishte aq pranë golit të parë po ashtu – për Baselin që prej transferimit nga Genku në fillim të shkurtit

20-vjeçari është i huazuar te gjiganti zviceran deri në fund të këtij sezoni, por dy paraqitjet e tij të fundit, mbase mund të bëjnë Baselin të mendojë ta shfrytëzojë mundësinë që ka në marrëveshje me Genkun dhe ta blejë kosovarin për 1.5 milionë euro në qershor.

Ai ishte shumë pranë të shënojë në dy raste në barazimin e Baselit kundër Grasshopper të shtunën në Superligën zvicerane. Zhegrova e pranoi një top dhe pas një driblimi goditi nga rreth 25 metra, gjuajtja e tij tejet e fuqishme përfundoi pak centimetra mbi transversale.
Pak minuta më vonë, kosovari bëri një depërtim në stilin e tij të njohur “alla-Messi”, por goli iu mohua nga portieri i vizitorëve.


Përveç këtyre dy momenteve më të veçuara, Zhegrova pati një paraqitje të mrekullueshme në përgjithësi, duke u shpallur futbollisti më i mirë i ndeshjes, tamam në paraqitjet e tij të parë si titullar, teksa edhe trullosi kundërshtarët.


Jo vetëm kaq, talenti i Kosovës zuri vend edhe në formacionin më të mirë të javës në Superligën e Zvicrës.

(Kosova Sot)