Shaqiri, Celina e Hadërgjonaj i bashkohen protestës kundër racizmit

  • 19 April 2019 - 14:05
Shaqiri, Celina e Hadërgjonaj i bashkohen protestës kundër racizmit

Xherdan Shaqiri i Liverpoolit, Bersant Celina i Swansea Cityt dhe Florent Hadërgjonaj i Huddersfield Townit i janë bashkuar protestës së futbollistëve profesionistë në Angli dhe Uells kundër racizmit.

Futbollistët profesionistë në Angli dhe Uells janë duke i bojkotuar rrjetet sociale sot, në shenjë proteste kundër incidenteve të racizmit, që kanë ndodhur gjatë kohës së fundit në botën e futbollit.

Fushata #Enough (shqip “Mjaft më”) u organizua nga Shoqata e Futbollistëve Profesionistë (PFA), që i inkurajoi lojtarët të mos e përdorin asnjë llogari në rrjete sociale nga ora 10:00 e 19 prillit deri në orën 10:00 të 20 prillit. 

Në kuadër të kësaj fushate, Xherdan Shaqiri, Bersant Celina e Florent Hadërgjonaj e kanë postuar fotografinë e kësaj fushatë në llogaritë e tyre në Instagram, për të ndihmuar në luftën kundër racizmit.

Megjithatë, ata nuk i janë përshtatur plotësisht rregullave që i kishte bërë PFA-ja pasi që fotografitë i postuan pas orës 10:00 e madje Shaqiri e postoi edhe një foto tjetër të veten në orën 13:48.

Yjet e Premierligës kanë qenë duke e publikuar fotografinë e fushatës #Enough në rrjetet e tyre sociale, duke e bashkangjitur mesazhin: “Jemi duke u ngritur në këmbë kundër abuzimit në baza racore”.

“Jemi të vetëdijshëm se platforma jonë vjen me përgjegjësi, kështu që jemi duke e përdorur zërin tonë që të ngrihemi kundër abuzimit në baza racore. Së bashku, ne po kërkojmë nga autoritetet e platformave të rrjeteve sociale dhe autoritetet qeverisëse të futbollit të bëjnë më shumë”.

PFA-ja ka bërë të ditur se kjo fushatë është në përgjigje të incidenteve të fundit në lidhje me thirrjet raciste që u bënë në drejtim të futbollistëve gjatë muajve të fundit. 

“Bojkoti është hapi i parë në këtë fushatë më të gjerë për ta sfiduar racizmin në futboll. Kjo e dëshmon unitetin e lojtarëve dhe është thirrje drejt autoriteteve që të bëjnë më shumë për t’i ndaluar këto incidente”.

Këtë javë, kapiteni i Manchester Unitedit, Ashley Young, u bë viktimë e thirrjeve raciste në rrjete sociale, pasi skuadra e tij u eliminua nga Liga e Kampionëve, në ndeshjen kundër Barcelonës në çerekfinale.

Futbollistë të tjerë me ngjyrë anglezë përjetuan abuzim të ngjashëm në ndeshjen e muajit të kaluar kundër Malit të Zi, ndeshje kjo e vlefshme për kualifikim në EURO 2020. Tifozët malazias në stadium kishin bërë thirrje raciste ndaj Danny Rose dhe Raheem Sterlingut. 

Më vonë, Rose e kishte pranuar se mezi po pret të pensionohet nga futbollit për shkak të këtyre incidenteve të shpeshta raciste në botën e futbollit.

(Kosova Sot)