Kloppi e komenton eliminimin dramatik të Man Cityt nga Liga e Kampionëve

  • 19 April 2019 - 14:39
Kloppi e komenton eliminimin dramatik të Man Cityt nga Liga e Kampionëve

Trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, ka bërë të ditur se ishte ndierë keq për Manchester Cityn për shkak të mënyrës dramatike që u eliminuan nga Liga e Kampionëve, mirëpo e ka përgëzuar Tottenhamin për arritjen në gjysmëfinale.

Manchester City u eliminua sërish në fazën çerekfinale të Ligës së Kampionëve, pasi VAR-i ia anuloi golin e shënuar në minutat e fundit, që ia siguronte Manchester Cityt fitoren dhe kualifikimin në gjysmëfinale, për shkak të pozitës jashtë loje.

“Është e pabesueshme. U ndjeva shumë keq për ta. E di që disa njerëz thanë se pa VAR do të kishte qenë gol i qartë, por ne jemi ende duke diskutuar për këtë gjë”, ka thënë Klopp.

“Ishte në pozitë jashtë loje në atë moment, por ishte vendim i vështirë për t’u marrë. Por, komplimente për Tottenhamin”.

“Kam thënë edhe në fillim të sezonit se ata e kanë pasur një verë të vështirë, jo pse nuk patën mundësi ta transferojnë askënd, por sepse i patën vetëm dy javë pushim”. 

“T’i shënosh tri gola kundër Manchester Cityt… natyrisht që e merituan kualifikimin. Nuk kam ide nëse kjo gjë do të ndikojë në ligë. Do ta shohim”.

Manchester City e filloi këtë ndeshje pas disfatës 1:0 në ndeshjen e parë në White Hart Lane dhe duhej të fitonte me dy gola epërsi për ta siguruar kualifikimin. Në vetëm 21 minutat e parë, ata i shënuan tri gola, mirëpo edhe Tottenhami i shënoi dy të tjera.

Ndërsa, golin që i nevojitej Cityt e shënoi Sergio Aguero në pjesën e dytë të ndeshjes (4:2), por menjëherë pas tij erdhi edhe goli i radhës i Tottenhamit (4:3), rreth 15 minuta para fundit. Ky gol i Tottenhamit u kontrollua me VAR pasi që Fernando Llorente e kishte prekur topin me dorë, mirëpo gjyqtari vendosi që prekja me dorë kishte qenë aksidentale dhe nuk e kishte devijuar topin.

Manchester City ishte në kërkim të golit të fitores, mirëpo edhe kur një i tillë u shënua nga Raheem Sterling, disa momente para fundit, ai u anulua për shkak se Sergio Aguero e kishte marrë topin në pozitë jashtë lojë gjatë aksionit.

Në anën tjetër, gjiganti i Premierligës, Liverpooli, e mposhti lehtësisht të mërkurën Porton, me rezultat 4:1, për ta siguruar një vend në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve me rezultat të përgjithshëm 6:1.

Pas kësaj arritjeje, skuadra e Jurgen Kloppit tani do të përballet me Barcelonën në gjysmëfinale të kësaj gare evropiane. Për ta siguruar vendin në gjysmëfinale, Lionel Messi i ndihmoi Barcelonës ta mposhtë Manchester Unitedin me rezultat të përgjithshëm 4:0.

(Kosova Sot)