Odriozola i Real Madridit lëndohet rëndë, pas duelit me Viniciusin

  • 19 April 2019 - 15:31
Odriozola i Real Madridit lëndohet rëndë, pas duelit me Viniciusin

Mbrojtësi i krahut të djathtë të Real Madridit, Alvaro Odriozola, u detyrua ta linte në gjysmë seancën stërvitore të së premtes në kampin e stërvitjeve Valdebebas, pasi një goditje ia la klavikulën e majtë të thyer.

Real Madridi i ka njoftuar tifozët e klubit se Alvaro Odriozola e ka thyer klavikulën e majtë, përmes një deklarate të postuar në faqen zyrtare të klubit.

“Pas testeve që iu bënë sot lojtarin tonë, Alvaro Odriozolas, nga ekipi mjekësor i Real Madridit, ai është diagnostikuar me frakturë në klavikulën e majtë”, shkruhet në deklaratën e publikuar nga Real Madridi.

Odriozola u rrëzua pas një dueli me Vinicius Junior dhe menjëherë shfaqi shenja dhimbjeje në klavikulën e tij. Ai mori trajtim nga stafi mjekësor i klubit, i cili gjithashtu e vlerësoi shkallën e lëndimit të tij.

Ende nuk dihet nëse futbollisti i Real Madridit do të detyrohet të bëhet operacion ose jo. Nëse operacioni është i detyrueshëm, atëherë Odriozola ta ketë të pamundur të luajë sezon. Megjithatë, edhe nëse zgjedh ndonjë opsion tjetër për trajtim, do ta ketë të vështirë të luajë para se të përfundojë ky sezon.

Gjatë këtij sezoni, 23-vjeçari i ka bërë 22 paraqitje për Real Madridin, gjatë së cilave e ka shënaur një gol dhe i ka asistuar nëntë të tjera. 

(Kosova Sot)