Derbi në Gjilan mund të vendosë fatin e kampionatit

  • 20 April 2019 - 09:04
Derbi në Gjilan mund të vendosë fatin e kampionatit

Udhëtim shumë i vështirë cilësohet edhe për Llapin në Skenderaj

Nëse Prishtina pëson humbje derisa rivali i saj, Feronikeli, që cilësohet se ka punë shumë të lehtë përballë KEK-ut, shënon fitore, atëherë gjërat për Prishtinën në vazhdim mund të bëhen të pazgjidhshme. Kjo edhe është arsyeja që përballja në Gjilan për Prishtinën të jetë vendimtare

Përballja ndërmjet Gjilanit e Prishtinës, e cila zhvillohet të shtunën në Gjilan, mund edhe të jetë vendimtare sa i përket titullit të kampionit. Edhe pse për analistët kjo ndeshje nuk mund të cilësohet si përcaktuese për titull, pasi deri në fund të garave ka edhe shumë ndeshje, gjithsesi ata e shohin si një takim që mund të vendosë shumëçka. Nëse Prishtina pëson humbje derisa rivali i saj, Feronikeli, që cilësohet se ka punë shumë të lehtë përballë KEK-ut, shënon fitore, atëherë gjërat për Prishtinën në vazhdim mund të bëhen të pazgjidhshme. Kjo edhe është arsyeja që java e 28-të në Ipko Superligën e Kosovës në futboll të pritet me shumë kureshtje, pasi përveç luftës së ashpër që është duke u zhvilluar për titullin e kampionit, me të njëjtën ritëm po vazhdon lufta edhe për ekzistencë. Pa dyshim dy ndeshje shumë të nxehta cilësohen ato në Ferizaj e Prizren, ku ndeshen rivalët e drejtpërdrejtë për larim nga liga, Ferizaj – Flamurtari dhe Liria – Ballkani.

Gjilani, rival i madh i Prishtinës

Përderisa Feronikeli këtë vikend është më i qetë dhe duket se ka punë më të lehtë pasi përballet me të fundit në tabelë, KEK-un, dy rivalët e saj në luftë për titull, Prishtina dhe Llapi, kanë udhëtime jashtëzakonisht të vështira dhe iu duhet shumë punë të kthehen me pikë të plota. Gjilani gjithmonë ka qenë rival i madh për Prishtinën dhe i tillë pritet të jetë edhe këtë vikend. Përkundër që bardhekaltrit kanë hyrë në një seri shumë të mirë, ata do ta kenë shumë të vështirë që nga Anamorava të kthehen me gjah të plotë. Ngjashëm mund të thuhet edhe për Llapin që udhëton drejt Skenderajt për t’u ndeshur me Drenicën. Skuadra e Tahir Batatinës më farë se kurrë është vendit të parë, pasi është larg vetëm 2 pikë dhe kjo ka bërë që entuziazmi në kampin llapjan të shtohet maksimalisht. Mbetet të shihet se a do të vazhdojë ky entuziazëm apo do të jetë Drenica ajo që do ta largojë nga lufta për titull të kamponit.

Lufta për mbijetesë

Për Lirinë e Prizrenit sfida ndaj Ballkanit mund të jetë vendimtare. Nëse kjo skuadër pëson humbje atëherë përfundimisht do t’i humbiste gjitha gjasat për ekzistencë dhe kjo është arsyeja që për djelmoshat e Erdogan Celinës në ballafaqim me Ballkanin mos të kenë alternativë tjetër përveç fitores. Në anën tjetër pikët janë shumë të nevojshme edhe për Ballkanin që po lufton për t’i ikur barazhit.

Ekipi që para një jave shkarkoi Sami Sermaxhajn për ta sjellë në krye të skuadrës strategun Gani Sejdiu synon pijë të plota në Prizren në mënyrë që sfidat e radhës t’i pres më e qetë. Një ndeshje tejet joshëse dhe e paparashikuar pritet të jetë ajo ndërmjet Ferizajt e Flamurtarit, dy skuadra këto që gjithashtu po luftojnë për mbijetesë. Për Ferizajn fitorja do të thoshte shpëtim nga rënia direkt nga Liga, derisa Flamurtari pas fitores në fundjavën e kaluar ndaj Ballkanit ka rritur gjasat për t’i ikur barazhit, kështu që në Ferizaj udhëton me synime për të marrë pikë dhe në këtë mënyrë të jetë shumë më stabile në sfidat e radhës.

(Kosova Sot)