Ronaldo kthehet në Serie A, kërkon titullin e ligës në ndeshjen e 800-të, të karrierës

  • 20 April 2019 - 17:18
Ronaldo kthehet në Serie A, kërkon titullin e ligës në ndeshjen e 800-të, të karrierës

Juventusi do të tentojë për herë të dytë ta sigurojë titullin e Serisë A, pasi që tentimi i fundit i shkoi dëm për shkak të paraqitjes së mrekullueshme të SPAL  që arriti t’i mposhtë djemtë e Massimiliano Allegrit.

Juventusi po i kthehet Serisë A pas zhgënjimit të madh në Ligën e Kampionëve, ku në mesjavë pësoi eliminim tronditës nga Ajaxi. Sot në orën 18:00, djemtë e “Zonjës së Vjetër” do të tentojnë t’i gëzojnë tifozët me fitore ndaj Fiorentinës.

Pasi i ka humbur vetëm dy ndeshje nga gjithsej 32 të zhvilluara këtë sezon të Serisë A, Juventusi mund ta fitojë për herë të tetë radhazi titullin e kampionit nëse e mposht Fiorentinën, që s’di për fitore që tetë ndeshje.

Juventusi ka statistika mjaft të mirë kundër Fiorentinës, pasi që i ka fituar tetë nga nëntë përballjet e fundit mes këtyre dy klubeve, ndërsa e ka humbur vetëm një.

Për t’i ndihmuar skuadrës së tij që ta sigurojë kurorën e futbollit italian, Cristiano Ronaldo është kthyer në formacionin e Juventusit dhe do ta zhvillojë ndeshjen e tij të 800-të në karrierë. Ronaldo ka munguar në gjashtë ndeshjet e fundit të Juventusit në Serie A.

(Kosova Sot)