Rashica me shokë s’mund ta ndalin Bayernin

  • 20 April 2019 - 17:30
Rashica me shokë s’mund ta ndalin Bayernin

Milot Rashica dhe bashkëlojtarët e tij në Werder Bremen nuk arritën ta ndalin Bayern Munichun ,që duket se po shkon drejt edhe një titulli tjetër të Bundesligës këtë sezon.

Bayern Munichu arriti të sigurojë fitore me epërsi minimale 1:0 në ndeshjen kundër Werder Bremenit, e cila u zhvilluar sot në stadiumin “Allianz Arena” dhe ishte e vlefshme për xhiron e 30-të të Bundesligës.

Skuadra e Niko Kovacit e kishte dominuar tërë pjesën e parë, me 63 për qind të posedimit të topit. Përderisa 2 nga goditjet e Bayernit ishin brenda kuadratit të portës, lojtarët e Werder Bremenit nuk arritën ta regjistrojnë asnjë goditje drejt portës.

Pjesa e dytë shkoi edhe më keq për skuadrën e yllit të Kosovës, Rashicës, pasi që Bayerni e dominoi edhe më shumë këtë ndeshje, veçanërisht pasi Werder Bremeni mbeti me dhjetë lojtarë në fushë, për shkak të kartonit të kuq të Milos Veljkovicit.

Milot Rashica luajti për 73 minuta në këtë ndeshje, ndërsa 17 minuta para fundit të kohës u zëvendësua nga Yoya Osako.

Vetëm dy minuta pasi Rashica u largua nga fusha e lojës, Werder Bremeni e pësoi golin e disfatës, të shënuar nga Niklas Sule. Ky gol e dëmtoi superparaqitjen e  portierit të Bremenit, Jiji Pavlenka, i cili kishte qenë i jashtëzakonshëm deri në atë moment.

Me këtë fitore, Bayerni e shton epërsinë ndaj Dortmundit në tabelën e Bundesligës dhe tani radhitet me katër pikë më shumë se Dormtundi, që e ka një ndeshje më pak të zhvilluar. 

(Kosova Sot)