Coutinho e zbulon arsyen e festimit kontrovers kundër Manchester United

  • 21 April 2019 - 14:57
Coutinho e zbulon arsyen e festimit kontrovers kundër Manchester United

Philippe Coutinho ka këmbëngulur se nuk ka dashur ta ofendojë askënd me festimin e tij kontrovers të golit në fitoren e Barcelonës 3:0 kundër Manchester Unitedit të martën në Ligën e Kampionëve.

Coutinho e shënoi golin e tretë të Barçës dhe festoi duke i mbyllur veshët me gishta dhe duke bërë me gjest drejt tifozëve.

Mesfushori brazilian ishte i zemëruar me kritikat e shumta që i ka marrë këtë sezon, por festimi i tij i ka tërbuar gazetarët, të cilët e kanë quajtur mungesë respekti mënyrën sesi festoi ai.

26-vjeçari thotë se i respekton të gjithë, por e pranon se ndihet i liruar pasi shënoi kundër Unitedit. 

Duke folur pas fitores së Barcelonës 2:1 kundër Real Sociedadit të shtunën në mbrëmje, Coutinho tha: “Unë gjithmonë i kam respektuar të tjerët”.

“E vërteta është se festimi ishte për t’u treguar njerëzve se më duhet ta bllokoj zhurmën, në mënyrë që të përqendrohem në lojë, apo në punën time dhe të mos ndikohem nga ajo”, shtoi ai.

“Ishte çlirim për mua”, theksoi ai.

(Kosova Sot)