Të mëdhenjtë nuk gabojnë

  • 22 April 2019 - 09:47
Të mëdhenjtë nuk gabojnë

Interesante mbetet edhe lufta për mbijetesë

Prishtina, Llapi e Feronikeli kanë shënuar fitore, duke bërë që tabela mos të ketë ndryshime. “Nikli” e Prishtina janë në pozitat 1 dhe 2 me pikë të barabarta, derisa Llapi është vetëm dy pikë mbrapa tyre dhe vazhdimi pritet të jetë shumë i nxehtë

Edhe java e 28-të në elitën e futbollit kosovar ka sjellë disa ndeshje të mira, derisa ajo ka kaluar nën hijen e skuadrave të kreut, të cilat nuk lejuan befasi. Prishtina, Llapi e Feronikeli kanë shënuar fitore, duke bërë që tabela mos të ketë ndryshime. “Nikli” e Prishtina janë në pozitat 1 dhe 2 me pikë të barabarta, derisa Llapi është vetëm dy pikë mbrapa tyre dhe vazhdimi pritet të jetë shumë i vështirë për t’u parashikuar. Ngjashëm mund të thuhet edhe për pjesën e poshtme të tabelës, derisa një pasqyrë më reale pritet ta kemi pas dy ndeshjeve që zhvillohet sot ndërmjet Lirisë e Ballkanit dhe Ferizajt e Flamurtarit.

 Prishtina vazhdon me serinë e suksesshme

Fitorja e Prishtinës në Gjilan përfundimisht dëshmoi se kjo skuadër po kalon formë të jashtëzakonshme duke shënuar 8 fitore radhazi dhe kjo e bën skuadrën bardhekalër njërën nga favoritet kryesore për titull të kampionit. Gjilani ishte cilësuar si rival shumë i vështirë për Prishtinën dhe ashtu doli, por ja që në minutat e fundit, fati ishte në anën e bardhekaltërve që shënuan gol përmes Mërgim Pefqelin dhe këto tri pikë e mbajnë në krye të tabelës. “Nuk do të thotë që të gjitha ndeshjet të zgjidhen në fillimin e saj. Ishte një pjesë e parë e vaktë e jona. Në pjesën e dytë u munduam të ndryshojmë me lojtarë me tipare më tepër sulmuese dhe më të freskët dhe u zgjodh ndeshja në fund fare. Për mendimin tim, të gjitha ndeshjet do të jenë të vështira ku tash po flasim pas ndeshjes, e cila na entuziazmoi me minutat e fundit, por duhet të jemi shumë më të kujdesshëm në shfrytëzimin e rasteve, që të qetësojmë ekipin, mënyrën e lojës tonë. Pas fitores ne i shohim të gjitha gjërat në mënyrë pozitive, por duhet të koncentrohemi më tepër, duke pasur parasysh gabimet që i kemi për të ardhmen”, ka thënë trajneri i Prishtinës, Mirel Josës. Në anën tjetër, trajneri I Gjilanit, Gentian Mezani është parë i dëshpëruar me këtë humbje. “Humbja na vështirëson punët. Një humbje nuk të bën mirë dhe një pikë do të kryente shumë punë për ne dhe do të ishte e kënaqshme pa diskutim duke e parë edhe lojën si rrodhi. Sigurisht humbja në fund dhemb, sepse për ne do të ishte e mirë edhe një pike”, ka thënë Mezani.

Feronikeli sipas parashikimeve

Pa dyshim punën më të lehtë këtë vikend e ka pasur Feronikeli, që pa shumë telashe e ka mposhtur KEK-un me rezultat 4:0, për të vazhduar ta mbajë kreun e tabelës. “Nikli” duke e pasuar parasysh triumfin e Prishtinës që e kishte pasur një ditë më herë, ndeshjen e nisi në mënyrë ofensive duke e kërkuar golin që nga minuta e parë. Ishte braziliani që hapi serinë e golave për të vazhduar më pas Kastriot Rexha që shënoi tri herë dhe që të tria golat i shënoi nga pika e bardhë. Në anën tjetër, një fitore shumë të vlefshme e ka shënuar Llapi, i cili në Skenderaj deklasoi Drenicën, duke e mundur me rezultat 2:0 dhe njëherësh duke paralajmëruar se është njëra nga skuadrat më serioze në luftë për titull, kjo edhe falë orarit bukur të përshtatshëm që ka në vazhdim. Trepça’89 ka arritur t’i marrë një pikë Dritës duke luajtur baras 1:1 në Gjilan. Ky është barazimi i dytë me radhë për skuadrën gjilanase, e cila sivjet mund ta cilësojë këtë edicion si edicion të dështuar.

Fitorja e Prishtinës në Gjilan përfundimisht dëshmoi se kjo skuadër po kalon formë të jashtëzakonshme duke shënuar 8 fitore radhazi dhe kjo e bën skuadrën bardhekalër njërën nga favoritet kryesore për titull të kampionit

Pa dyshim punën më të lehtë këtë vikend e ka pasur Feronikeli që pa shumë telashe e ka mposhtur KEK-un me rezultat 4:0, për të vazhduar kryesimin e renditjes tabelare me pikë të barabarta me Prishtinën

KEK-u – Feronikeli 0:4

Gjilani - Prishtina 0:1

Drenica - Llapi 0:2

Drita - Trepça'89 1:1

Sot

16:00 Ferizaj – Flamurtari

16:00 Liria – Ballkani

Tabela

1. Feronikeli 28 65

2. Prishtina 28 65

3. Llapi 28 63

4. Drita 28 47

5. Drenica 28 38

6. Trepça'89 28 36

7. Gjilani 28 35

8. Ballkani 27 32

9. Flamurtari 27 32

10. Ferizaj 27 28

11. Liria 27 24

12. KEK-u 28 1

Në javën e 29-të takohen: Llapi – Drita, Prishtina – Drenica, Feronikeli – Gjilani, Flamurtari - KEK-u, Ballkani – Ferizaj, Trepça'89 – Liria

(Kosova Sot)