Klopp tallet me Man Unitedin: Ne s’mund të bëjmë asgjë në derbin e Mançesterit, por as United

  • 22 April 2019 - 10:19
Klopp tallet me Man Unitedin: Ne s’mund të bëjmë asgjë në derbin e Mançesterit, por as United

Jurgen Klopp e ka tallur Manchester Unitedin duke sugjeruar se skuadra e Ole Gunnar Solskjaer nuk do të jetë në gjendje të ketë çfarëdo ndikimi në derbin e së mërkurës me Manchester Cityn, duke e marrë si dëshmi humbjen turpëruese 4:0 të së dielës kundër Evertonit.

Liverpooli i Kloppit është lider i Premierligës, me dy pikë para City, i cili megjithatë e ka një ndeshje në dispozicion për ta zhvilluar – derbin e Mançesterit.

Udhëtimi drejt Old Trafford vlerësohet nga shumë si pengesa e fundit e madhe për Cityn në përpjekje për ta mbrojtur titullin në Premierligë, pas fitores 1:0 kundër Tottenhamit në shtëpi të shtunën.

Ndërkohë, Unitedi i futet derbit në formë shumë të dobët, pasi humbja turpëruese e së dielës ishte e gjashta në tetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat.

Klopp u pyet rreth rëndësisë së derbit të Mançesterit, prandaj e shfrytëzoi rastin të bëjë shaka me “Djajtë e kuq”.

“(Derbi) nuk është diçka në të cilën mund të kemi ndikim, dhe duket se as Unitedi nuk është në gjendje ta bëjë. Cili ishte rezultati i (Unitedit) sot? 3:0, 4:0, për Evertonin?”, tha Klopp për Sky Sports.

(Kosova Sot)