Solskjaer paralajmëron: Do të jem i suksesshëm në Man United, por disa lojtarë s’do të jenë pjesë e tij

  • 22 April 2019 - 14:23
Solskjaer paralajmëron: Do të jem i suksesshëm në Man United, por disa lojtarë s’do të jenë pjesë e tij

Ole Gunnar Solskjaer ka pohuar se do të jetë i suksesshëm në Manchester United, por së pari do t’i heqë qafe disa futbollistë të cilët kanë performuar nën nivel këtë sezon.

Unitedi, që të mërkurën mbrëma përballet me Manchester Cityn, bëri paraqitje tejet të dobët të dielën në Goodison Park, ku u turpërua 4:0 nga Evertoni.

Solskjaer i kërkoi falje tifozëve pas kësaj humbje dhe sugjeroi se do t’i heqë qafe futbollistët të cilët nuk brengosen shumë për fanellën e Unitedit.

“Djajtë e kuq” rrezikojnë të mbesin pa pjesëmarrje në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, pasi renditen në pozitën e gjashtë me dy pikë më pak se vendi i katërt me tri ndeshje të mbetura deri në fund.

“Unë do të jem i suksesshëm këtu. Janë disa futbollistë që nuk do të jenë pjesë e këtij suksesi”, tha Solskjaer kur u pyet nëse futbollistëve të tij u bën për klubin. 

(Kosova Sot)