5 finalet e mbetura

  • 23 April 2019 - 08:42
5 finalet e mbetura

Tejet e paparashikuar po vazhdon të jetë edhe lufta në pjesën e poshtme të tabelës

“Kam thënë dhe më herët dhe vazhdoj të besoj se përcaktuese për këtë kampionat do të jenë ndeshjet e ndërsjella të tri skuadrave të kreut. Feronikeli, Prishtina e Llapi kanë nga 5 finale, ndeshje këto që kanë zgjuar kureshtje të madhe tek adhuruesit e futbollit. Them se në 5 ndeshjet e mbetura presioni është shumë i madh, kështu që ndikim përcaktues do të ketë përgatitja psikike”, ka thënë për gazetën “Kosova Sot”, Bekim Shotani

Nuk mbahet mend që kampionati i Kosovës në futboll të jetë më interesant sesa sivjet. Edhe pse cilësia lë shumë për të dëshiruar, rivaliteti i madh mes tri skuadrave në luftë për titull të kampionit po e bën këtë kampionat tejet joshës,. Feronikeli, Prishtina e Llapi janë kandidatët për titull të kampionit dhe sipas analistëve që të tri këto skuadra kanë gjasa të barabarta për të triumfuar. Feronikeli e Prishtina janë në pozitat 1 dhe 2 me pikë të barabarta nga 65, derisa Llapi është në pozitën e tretë me vetëm dy pikë mbrapa (63).

Luftë shumë e ashpër është duke u zhvilluar edhe në pjesën e poshtme të tabelës, aty ku po garohet për t’i ikur largimit direkt nga liga, por edhe shmangies së ndeshjes së barazhit. Edhe 15 pikë janë në dispozicion dhe mbetet të shihte se cila ka forcë dhe cilësi për t’i përballuar këto 5 ndeshjet e mbetura.

Luftë e pakompromis

Për ish-trajnerin e Kosovës së Vushtrrisë dhe shumë skuadrave të tjera kosovare, Bekim Shotani, këto 5 ndeshjet e mbetura pritet të sjellin futboll jashtëzakonisht të vështirë, derisa ai vlerëson se përballjet direkte ndërmjet Feronikelit, Prishtinës e Llapit do të vendosin gjithçka në këtë garë. “Kam thënë dhe më herët dhe vazhdoj të besoj se përcaktuese për këtë kampionat do të jenë ndeshjet e ndërsjella të këtyre tri skuadrave që po luftojnë për titull të kampionit. Feronikeli, Prishtina e Llapi kanë nga 5 finale, ndeshje këto që kanë zgjuara kureshtje të madhe tek adhuruesit e futbollit”, ka thënë për gazetën “Kosova Sot”, Bekim Shotani, sipas të cilit ndikim të madh në ndeshjet e mbetura do të kenë përgatitjet psikike të skuadrave.

“Them se në 5 ndeshjet e ardhshme presioni është shumë i madh, kështu që ndikim përcaktues do të ketë përgatitja psikike, përvoja dhe niveli i trajnerit, i cili dinë ta mbajë skuadrën të përgatitur pa presion”, ka thënë Shotani për “Kosova Sot”.

Presion i jashtëzakonshëm

“Presioni do të jetë shumë i madh në të gjitha nivelet dhe kjo do të jetë një faktor shumë më rendësi sesi të menaxhohet. Nëse në këtë pikë trajnerët arrijnë t’i menaxhojnë si duhet lojtarët mund edhe t’ia dalin”, vlerësoi tekniku vushtrrias duke e komentuar më pas edhe orarin dhe favoret që i ofron ky orar skuadrave.

“Llapi ka fatin e madh që e pret Feronikelin në fushën e vet dhe kjo është një avantazh i madh për skuadër, e cila pret një gabim në ndeshjen e fundit ndërmjet Feronikelit e Prishtinë. Gjithsesi, më rëndësi është se gara është shumë e rivalizuar dhe adhuruesit e futbollit do të jenë në ankth deri në fund e jo si në vitet e kaluara kur gjërat ose luftoheshin ndërmjet dy skuadrave dhe zgjidheshin shumë më herët”, ka përfunduar Bekim Shotani.

(Kosova Sot)