Organizatorët presin një garë madhështore

  • 23 April 2019 - 08:45
Organizatorët presin një garë madhështore

Shpërblimet për fituesit janë mbi 13 mijë euro

Të dielën (më 28 prill) do të mbahet Gjysmëmaratona Ndërkombëtare “Prishtina 2019”, ku organizatorët presin një pjesëmarrje masive të garuesve, derisa për vitin e ardhshëm mendohet të organizohet edhe Maratona. Regjistrimet kanë filluar të hënën (dje) dhe do të përfundojnë të shtunën në ora 20:00

Organizatorët e Gjysmëmaratonës Ndërkombëtare “Prishtina 2019” janë duke bërë çmos që të ketë një garë sa më të organizuar të dielën dhe çdo gjë të shkojë sipas planit. Paraqitjet për këtë garë kanë filluar nga dita e hënë, dhe vërehet një numër i madh i të interesuarve për të marrë pjesë në këtë garë, që është ndërkombëtare dhe tradicionale.

Gjysmëmaratona fillon në orën 10:00 të dielën, pra më 28 prill, derisa është e 19-ta më radhë, pa dyshim një nga garat më të mirëorganizuara në vendin tonë. Regjistrimet do të përfundojnë më 27 prill në orën 20:00, ku të gjithë të interesuarit mund të marrin pjesë në disa disiplina, si në 5 km, 10 dhe 21, në të dyja konkurrencat.

Interesimi më i madh

Shpërblimet janë 13.620 euro në këtë edicion. Garuesi që do ta zë vendin e parë shpërblehet me 1200 euro për meshkuj, gjithashtu edhe për femra, ku do të jenë dhjetë shpërblime në të dyja konkurrencat. Kryetari i Federatës së Atletikës së Kosovës, Halil Sylejmani, ka folur se çka pret në këtë edicion. “Që disa ditë kemi filluar me organizimin e kësaj gare, që presim të jetë madhështore të dielën.

Deri më tani çdo gjë po shkon siç duhet, derisa po vërehet një interesim i madh për garën që zhvillohet të dielën. Po ashtu i kemi kushtuar më shumë rëndësi anës mediale dhe marketingut. Gjithashtu kemi njoftuar edhe policinë, ushtrinë, mjekët dhe besoj se do të jetë një garë masivizuese. Tashmë kemi krijuar përvojë, pasi e kemi nisur që nga paslufta, dhe pa modesti e them se është një nga garat më të organizuara në vendin tonë. Përveç garuesve, presim edhe nga qytetarët që të vijnë dhe të përkrahin atletët që janë pjesëmarrës. Kjo garë nuk është vetëm për atletët profesionistë, por edhe për qytetarët tjerë që janë të interesuar”, është shprehur Halil Sylejmani për gazetën “Kosova Sot”. Në këtë marrin pjesë edhe ushtarë të KFOR-it, por edhe pjesëtarë të FSK-së e Policisë së Kosovës, si dhe një numër i madh i qytetarëve, që janë adhurues të vrapimit.

Vitin e ardhshëm me Maratonë

Përveç në fillimin e saj, gara në Prishtinë është karakterizuar me dominimin e atletëve të huaj. Edhe në këtë edicion, pritet që një numër i konsiderueshëm nga jashtë të marrin pjesë. “E theksoj edhe një herë se interesimi në këtë edicion është i madh. Atletët e huaj na kanë telefonuar edhe para konferencës që kishim të premten. Ata duan të marrin pjesë. Edhe shpërblimet janë rritur dhe presim që deri në ditën e fundit të kemi një numër të madh të të regjistruarve për këtë garë. Në vitin e ardhshëm do të organizojmë edhe Maratonën në Prishtinë. Pra, përveç Gjysmëmaratonës, do të jetë edhe Maratona, për të gjithë ata që janë të interesuar dhe kanë përvojë në gara të tilla.

Madje, vitin e ardhshëm edhe shpërblimet do të rriten. Unë u bëj thirrje të gjithë të interesuarve të paraqiten për këtë garë, pasi nuk është me rëndësi vetëm rezultati, por edhe pjesëmarrja dhe relaksimi në këtë garë, që është ndërkombëtare dhe tradicionale”, është shprehur tutje Halil Sylejmani për gazetën “Kosova Sot”. Organizatorët kanë bërë të ditur se janë rritur edhe shpërblimet për veteranët (40 vjet meshkujt e 35 vjet femrat), që zënë pozitën e parë, ku shpërblimi është 300 euro.

(Kosova Sot)