Wenger: Vieira do të jetë trajneri i ri i Arsenalit

  • 23 April 2019 - 10:27
Wenger: Vieira do të jetë trajneri i ri i Arsenalit

Arsene Wenger beson se Patrick Vieira do të kthehet në Arsenal, mirëpo këtë herë ai do të emërohet në pozitën e trajnerit. Wenger nuk e di se kur do të ndodhë një gjë e tillë, mirëpo beson se do të jetë në të ardhmen.

Ish-mesfushori i Arsenalit, Patrick Vieira, e ka filluar një sfidë të re në botën e futbollit. Ai e kishte marrë punën e trajnerit në ekipin e të rinjve të Manchester City pasi u pensionua, ndërsa pastaj u emërua trajner i ekipit të parë të New York Cityt në MLS.

Ai pastaj u kthye në Francë në verën e vitit 2018, kur u emërua trajner i Nices. Vieira ka qenë mjaft mbresëlënës në këtë sezon debutues në Ligue 1 dhe ka marrë përkrahje edhe për ta zëvendësuar Didier Deschampsin në pozitën e trajnerit të ekipit kombëtar të Francës.

Megjithatë, Wenger beson se futbolli i klubeve është më tërheqës dhe ka thënë se e sheh Vieiran në pozitën e trajnerit të Arsenalit ndonjë ditë.

“E shoh si trajneri të Arsenalit ndonjë ditë sepse mendoj se është ende shumë i ri për të qenë trajneri i ekipit kombëtar. Mendoj se karriera e tij do të rrjedhë me futbollin e klubeve. Ai e ka ndërtuar karrierën e tij me durim dhe mençuri”, është shprehur Wenger.

“Ai u largua kur ishte i ri, shkoi në Nju Jork, tani është në Nice dhe ai ka marrë mjaftueshëm kohë për t’u pjekur dhe për ta mësuar këtë profesion. Ai është edhe elegant, edhe autoritativ. Ai ka kaluar në një kohë të vështirë në Nice, por nuk ka shfaqur shenja dobësie. Në periudhe krize e sheh trajnerin e vërtetë”.

Wengeri kishte qenë vetë trajner i Arsenalit për plot 22 sezone, mirëpo në fund të sezonit të kaluar i ndau rrugët me klubin, pasi që vitet e fundit nuk kishte qenë shumë i suksesshëm me klubin londinez, gjë që i kishte lënë tifozët të zemëruar. 

(Kosova Sot)