Solskjaer: Unë jam personi i duhur për pozitën e trajnerit të Man Unitedit

  • 23 April 2019 - 13:02
Solskjaer: Unë jam personi i duhur për pozitën e trajnerit të Man Unitedit

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, beson se ai është personi i duhur për ta drejtuar skuadrën e “Djajve të kuq”, përkundër që e pranon që ai nuk është personi që e merr këtë vendim.

Trajneri norvegjez e nënshkroi kontratën trevjeçare me Manchester Unitedin muajin e kaluar, pasi i përmirësoi dukshëm rezultatet dhe paraqitjet e skuadrës në ndeshjet pas shkarkimit të Jose Mourinhos nga pozita e trajnerit.

Së fundi, gjërat nuk kanë shkuar në mënyrë të përsosur për Solskjaerin, përfshirë këtu edhe disfatën turpëruese 4:0 në ndeshjen e fundit, dhe tanimë kanë filluar dyshimet për të ardhmen e 46-vjeçarit në klub.

“Epo, mua do të më pëlqente të them po [jam njeriu i duhur], mirëpo unë nuk jam personi i duhur për ta thënë një gjë të tillë. Natyrisht, kam besim në veten dhe skuadrën time se do ta përballojë këtë sfidë”, është shprehur Solskjaer.

“E di që është një sfidë e madhe dhe kjo është arsyeja pse unë erdha në kohën që erdha. Unë erdha këtu vet dhe do ta shijoj çdo sekondë. Nuk më pëlqen të humbas, por kjo është një sfidë e madhe dhe është sfidë që çdo trajner në këtë klub e ka pasur”.

“Kur ti i ke disa rezultate të këqija, duhet të kesh mjaftueshëm vetëbesim për të thënë që kjo është mënyra që ne do ta bëjmë këtë gjë dhe jemi duke planifikuar për të ardhmen. Kam besim në skuadrën time dhe veten për këtë sfidë që e kemi përpara”. 

(Kosova Sot)