Përfundon sezoni për talentin e Chelseat, Hudson-Odoi

  • 23 April 2019 - 13:47
Përfundon sezoni për talentin e Chelseat, Hudson-Odoi

Callum Hudson-Odoi beson se e ka pësuar një lëndim serioz në kyçin e këmbës të hënën dhe ai beson se ky sezon tashmë ka marrë fund për të.

Anësori i Chelseat, Callum Hudson-Odoi, nuk beson se do të luajë përsëri këtë sezon, pasi ai e lëndoi rëndë kyçin e këmbës në barazimin e mbrëmshëm 2:2 kundër Burnleyt

Fillimi emocionues i Chelseat nuk përfundoi mirë për Chelsean, pasi që Hudson-Odoi u detyrua ta lë ndeshjen në gjysmë dhe pastaj edhe N’Golo Kante pësoi një lëndim në brinjë. Përderisa problemi i Kantes nuk besohet të jetë serioz, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për 18-vjeçarin.

Edhe pse ende nuk janë kryer të gjitha testet mjekësore për ta kuptuar gjendjen e vërtetë të tij, Hudson-Odoi e shfrytëzoi llogarinë e tij në rrjetin social Twitter, për t’ua bërë të gjithëve të ditur se ky sezon ka marrë fund për të.

“Jam shumë i mërzitur që po e përfundoj këtë sezon me lëndim në kyç. Duhet të punoj shumë dhe të kthehem edhe më fuqishëm për sezonin e ardhshëm”, shkroi Hudson-Odoi në Twitter.

Edhe ndihmëstrajneri i Chelseat, Gianfranco Zola, beson se lëndimi i talentit të ri anglez është mjaft serioz.

“Nuk është i lehtë. Mendoj se është lëndim serioz. Nuk mund të ju tregoj saktësisht ende. Nuk e di, ai ende s’i ka bërë testet mjekësore, por nuk duket mirë”, tha Zola pas ndeshjes.

Hudson-Odoi pritet të mungojë në të gjithë pjesën tjetër të sezonit të Chelseat, që ende po garon për një vend në top katërshe të Premierligës dhe në Ligën e Evropës.

Djelmoshat e Maurizio Sarrit do të përballen me Eintracht Frankfurit në gjysmëfinale të Ligës së Evropës javën tjetër. Anglezi pritet të mungojë edhe në finalet e Ligës së Kombeve për Anglinë, që do të zhvillohet në qershor të këtij viti. 

(Ksoova Sot)