“Mbappe është ylli i PSG-së, jo Neymari”

  • 23 April 2019 - 13:47
“Mbappe është ylli i PSG-së, jo Neymari”

Ish-futbollisti francez, Jean-Pierre Papin, beson se Kylian Mbappe është ylli i vërtetë i skuadrës së Paris Saint-Germainit, ndërsa për Neymarin thotë se ka mbetur nën hijen e 20-vjeçarit.

Kampioni në fuqi i Ligue 1 e kishte përmirësuar dukshëm skuadrës gjatë afatit kalimtar të verës së vitit 2017, kur i kishte transferuar dy nga superyjet më të mëdhenj në botën e futbollit, Neymarin dhe Kylian Mbappen.

Neymari – i cili iu bashkua Paris Saint-Germainit për shumën rekorde 222 milionë euro – besohej se ishte transferimi më i zgjuar i klubit francez në atë kohë. Ai ka qenë mjaft mbresëlënës, me 48 gola në 54 paraqitje, mirëpo zbulim më i madh ka qenë Mbappe.

Mbappe e fitoi dy sezone radhazi titullin e Ligue 1 me klubin e ri dhe u bë kampion bote me Francën edhe pse ishte ende adoleshent. Këtë sezon ai ka arritur t’i shënojë 30 gola në ndeshjet e Ligue 1.

Papini ishte njeriu i fundit që e arriti këtë shifër para 29 vjetëve dhe ai e konsideron Mbappen si yllin e vërtetë të Paris Saint-Germainit.

“Ai ka luajtur shumë shpesh për shkak të lëndimeve të të tjerëve. Arma e vërtetë e PSG-së nuk është Neymari, është ai. Ne mund ta kishim parashikuar këtë gjë. Edhe nëse Neymari është galaktik, ylli i vërtetë i PSG-së është Mbappe”, ka thënë Papin.

“Që dy vjet tani, Neymari ka ofruar disa paraqitje të mrekullueshme, mirëpo Mbappe është aty gjatë gjithë kohës”.

(Kosova Sot)