Gazeta italiane: Icardi drejt PSG-së

  • 23 April 2019 - 14:31
Gazeta italiane: Icardi drejt PSG-së

Paris Saint-Germaini është i gatshëm t’ia bëjë Interit një ofertë tunduese për transferimin e Mauro Icardit gjatë afatit kalimtar të verës, sipas të përditshmes italiane, Gazzetta dello Sport.

Sulmuesi argjentinas i Interit, Mauro Icardi, besohet se është prioriteti i Paris Saint-Germainit për afatin kalimtar të verës, pasi që ata duan ta gjejnë një zëvendësues për Edinson Cavanin.

Gazzetta dello Sport shton se përkundër që ende nuk kanë filluar negociatat mes Interit, Icardit dhe PSG-së, klubi francez është afër transferimit të futbollistit nga Argjentina.

Për ta lejuar shitjen e Icardit, Interi i kërkon 70 milionë euro. Çmimi i tij ka rënë për shkak të gjashtë javëve që ai as nuk ushtroi e as nuk luajti në ndeshjet e zikaltërve, pasi klubi vendosi t’ia heqë shiritin e kapitenit.

Këtë vendim, drejtuesit e klubit e morën pasi që agjentja dhe bashkëshortja e futbollistit, Wanda Nara, tha në një televizion në Itali se Interi nuk po bënte mjaftueshëm për t’ia rinovuar kontratën Icardit.

Hera e fundit që Icardi e kishte rinovuar kontratën ishte më 7 tetor të vitit 2016. Kjo kontratë është e vlefshme deri më 30 qershor të vitit 2020. Interi duhet të vendos ose ta shesë Icardin këtë verë, ose ta humbë atë për asnjë cent nëse dy palët nuk arrijnë marrëveshje për rinovimin e kontratës. 

(Kosova Sot)