Mesfushori i Liverpoolit: Do të jem tifoz i Manchester Unitedit

  • 23 April 2019 - 15:39
Mesfushori i Liverpoolit: Do të jem tifoz i Manchester Unitedit

Mesfushori i Liverpoolit, James Milner, ka bërë të ditur se ai do ta mbështesë Manchester Unitedin për herë të parë në jetën e tij këtë mesjavë, mirëpo nuk do ta shikojë ndeshjen e tyre. 

Manchester City është në garë të zjarrtë me Liverpoolin për titullin e kampionit të Anglisë, pasi që Liverpooli e mban kreun me një pikë më shumë dhe një ndeshje më shumë të zhvilluar se Manchester City, me vetëm katër ndeshje deri në fund të sezonit. 

Kjo do të thotë që përballja mes Manchester Unitedit dhe Manchester Cityt, e cila do të zhvillohet të mërkurën, do të jetë edhe më interesante sesa zakonisht, pasi që “Djajtë e kuq” janë rivali më i vështirë i skuadrës së Pep Guardiolës në katër ndeshjet e fundit.

Manchester Unitedi është i përqendruar ta sigurojë një vend në kuadër të top katërshes së Premierligës, ndërsa Manchester City e do titullin e kësaj gare. Të dyja skuadrat u eliminuan javën e kaluar nga Liga e Kampionëve.

Por, përkundër urrejtjes që ekziston mes Manchester Unitedit dhe Liverpoolit, Milner po shpreson se rivali i tyre i vjetër do t’ua bëjë një nder duke i marrë pikë nga kjo përballje Manchester Cityt, në mënyrë që Liverpooli ta fitojë titullin e kampionit të Anglisë.

“Për herë të parë në jetë, do ta mbështes Manchester Unitedin. Por, nuk do ta shikoj ndeshjen. Është humbje energjie të shpresosh që topi ta prekë rrjetën e portës tjetër. Nuk mund të bëj asgjë për këtë”, ka thënë Milner. 

“Unë ndoshta do ta lë anash telefonin për disa orë dhe më pastaj do ta shikojë çfarë ka ndodhur. Nuk kam asnjë ide se çfarë do të bëj, ndoshta për të shkuar për pak ushqim. Jam i sigurt që do të jetë një ndeshje e mirë, mes dy skuadrave të mira”.

“Edhe tri ndeshje mbeten pas kësaj. Njerëzit mendojnë se Unitedi është sfidë, por nuk është e vetmja sfidë. Është një klishe e vjetër, por Premierliga është e vështirë, me këdo që luan, edhe me ekipet e fundit. Më besoni e di këtë gjë”.

(Kosova Sot)