Legjenda e Liverpoolit e kritikon ashpër Mustafin

  • 23 April 2019 - 15:57
Legjenda e Liverpoolit e kritikon ashpër Mustafin

Ish-mbrojtësi legjendar i Liverpoolit, Jamie Carragher, e kritikoi ashpër qendërmbrojtësin e Arsenalit, Shkodran Mustafin, për paraqitjen e tij të dobët në ndeshjen kundër Crystal Palace.

Arsenali pësoi disfatë me rezultat 3:2 në ndeshjen kundër Crystal Palace, dhe mbrojtësi Shkodran Mustafi, i transferua nga Valencia në vitin 2016 për 40 milionë euro, ishte fajtor për dy golat e para.

Fillimisht ai e lejoi Christian Benteken të shënonte gol pasi që e la atë të vetëm në zonën e portierit. Pastaj ai nuk arriti ta ndalë Wilfried Zahan, i cili e kaloi atë lehtësisht.

Pas ndeshjes, përveç tifozëve të Arsenalit, edhe legjenda e Liverpoolit, Jamie Carragher, kishte mbetur i zemëruar me paraqitjen e Mustafit.

“Rezultati ishte një surprizë e madhe për shkak të rekordit të Arsenalit në ndeshjet në shtëpi. Unë nuk u habita nga Mustafi – ai ka qenë një rrëmujë që kur u transferua në klub dhe kjo është vetëm një tjetër dëshmi për këtë gjë”, është shprehur Carragher.

“Ai është fajtor për golin e dytë gjithashtu. Mendoj se kjo i dëmton shumë gjasat e Arsenalit për ta zënë një vend në top katërshe. Megjithatë, ata mund të kualifikohen [në Ligën e Kampionëve] duke triumfuar në Ligën e Evropës”.

Sot u raportua se Mustafi është në listën prej shtatë futbollistëve të Arsenalit të cilët trajneri Unai Emery është i gatshëm t’i shesë gjatë afatit kalimtar të verës për ta rritur buxhetin për transferimin e lojtarëve, i cili fillimisht është vetëm 45 milionë funta.

Arsenal ka qenë i hapur ta shesë Mustafin, i cili u transferua nga Valencia në vitin 2016 për 40 milionë euro, gjatë dy verave të fundit, mirëpo asnjë klub nuk ka bërë ofertë të mirë për të. Për shkak të sezonit të tij të dobët, një gjë e tillë nuk pritet të ndodhë as tani. 

(Kosova Sot)