NBA: Akuza për ngacmim ndaj ish-trajnerit të Lakers

  • 23 prill 2019 - 20:21
NBA: Akuza për ngacmim ndaj ish-trajnerit të Lakers

Luke Walton nuk e ka nisur ende aventurën me Sacramento Kings, por e sheh veten në telashe. Dy javë pas arritjes së marrëveshjes së tij me skuadrën kaliforniane, ish-trajneri i LA Lakers u denoncua për ngacmim seksual nga gazetarja sportive Kelli Tennant, që aktualisht është edhe shkrimtare, lajm ky që u publikua nga portali TMZ.

Sipas këtij portali, Walton e ftoi Tennantin në vitin 2014, në dhomën e tij në një hotel të Santa Monicës, ku akomodohej për të marrë një kopje të një libri të shkrimtares. Këtu lind edhe akuza e Tennant, e cila deklaroi se, me të hyrë në dhomë, Walton tentoi ta puthë me forcë, por e lëshoi atë pas të bërtiturave dhe protestave të saj.

Walton dhe Kelli Tennant duket se kanë përjetuar edhe një episod tjetër të ngacmimit seksual, kur ai ishte trajner i LA Lakers, ndërkohë që ajo raportonte nga parketi ndeshjet e kësaj skuadre.

Sacramento reagoi ndaj këtij lajmi, duke deklaruar së është në dijeni të denoncimit ndaj Waltonit, por pa bërë komente të tjera në lidhje me këtë histori, ndërkohë që krejt e kundërta ndodh me Lakers. Skuadra nga Los Angeles deklaroi se nuk ishte në dijeni të këtyre ngjarjeve apo denoncimeve ndaj Waltonit, përndryshe do të kishte njoftuar drejtuesit e NBA-së.

Padyshim që për këto akuza ka reaguar edhe vet Luke Walton, që i hodhi poshtë në mënyrë kategorike ato nëpërmjet avokatit të tij, Mark Baute. Ky i fundit deklaroi se akuzat ndaj klientit të tij janë të pabazuara. “Ajo që i ka lëshuar ato është një oportuniste dhe historitë e saj nuk janë të besueshme”, tha ai, duke shtuar se do të kërkojë ta vërtetojë këtë në gjykatë.

(Kosova Sot)