Solskjaer: S’jemi gati të garojmë për titull as sezonin tjetër

  • 24 April 2019 - 09:10
Solskjaer: S’jemi gati të garojmë për titull as sezonin tjetër

“Djajtë e kuq” janë aktualisht 24 pikë larg kreut të Premierligës dhe trajneri i tyre është i pasigurt se sa mund të përmirësohen ata për sezonin e ardhshëm.

Trajneri Ole Gunnar Solskjaer beson se Manchester Unitedi duhet ta dëshmojë se mund të mbajë formën e mirë vazhdimisht për të garuar me Liverpoolin dhe Manchester Cityn sezonin e ardhshëm për titullin e Premierligës.

Para derbit me rivalin e qytetit, Manchester Cityn, sonte në Old Trafford, Manchester Unitedi ka mbetur 24 pikë prapa liderit, Liverpoolit, edhe pse e kanë një ndeshje më pak të zhvilluar se skuadra e Jurgen Kloppit.

Skuadra e Solskjaerit është në garë të zjarrtë për ta siguruar kualifikimin në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve. Manchester Unitedi, që i ka humbur gjashtë nga tetë ndeshjet e fundit në të gjitha garat, është tri pikë larg vendit të katërt.

Manchester Unitedi nuk e ka fituar Premierligës që nga vitit 2013, kur ish-trajneri legjendar, Sir Alex Ferguson, vendosi të pensionohet. Solskjaer nuk është i sigurt se sa garues mund të jenë “Djajtë e kuq” në sezonin e ardhshëm.

“Nuk mendoj se e kemi vazhdimësinë për ta bërë një gjë të tillë”, u tha Solskjaer gazetarëve në konferencën për shtyp kur u pyet se a do të luftojë Manchester Unitedi me Liverpoolin e Manchester Cityn për titullin e Premierligës sezonin e ardhshëm.

“Gjatë 18 ndeshjeve të fundit, ne nuk kemi qenë shumë larg prej tyre, por ka të bëjë me arritjen e këtij qëllimi brenda një sezoni. E kemi bërë për gjysmësezoni tani. Do ta shohim, kurrë mos thuaj kurrë”.

“Nuk mund të presësh që gjërat të ndryshojmë brenda natës dhe ne e dimë këtë gjë. Kjo gjë do të ndodhë gradualisht dhe ne duhet të jemi realistë si klub dhe të bëjmë gjithçka hap pas hapi”.

“Kjo nuk do të thotë t’i largosh dhjetë lojtarë e t’i sjellësh dhjetë të rinj. Është proces i ngadaltë, por i sigurt. Duhet ta kemi cilësinë, personalitetin dhe standardin e duhur në mënyrë që të kthehemi aty ku duam të jemi”. 

(Kosova Sot)