Ardhja e gjyqtarëve të huaj zbeh drejtësinë kosovare

  • 24 April 2019 - 09:14
Ardhja e gjyqtarëve të huaj zbeh drejtësinë kosovare

 Ndeshjet e mbetura pritet të sjellin bukur shumë tension

 “Ne kemi gjyqtarë me stemë ndërkombëtare, pse atëherë mos t’u japim rast atyre? Kur FIFA ka besuar në ta dhe i ka licencuar për gara ndërkombëtare, nënkupton se këta janë gjyqtarë të mirë. Unë mendoj se do të ishte mirë që në këto ndeshjet e mbetura të kemi delegim të dirigjuar, dmth gjyqtarët më të mirë dhe që kanë përvojë më shumë t’u besohen ndeshjet me presion”, ka thënë për gazetën “Kosova Sot”, Erdin Hashani

Ideja për sjelljen e gjyqtarëve të huaj për t’i gjykuar ndeshjet e fundit kampionale në elitën e futbollit të Kosovës, me theks të veçantë përballjet që mund ta përcaktojnë titullin e kampionit, në taborin futbolldashës po kuptohet në dy mënyra. Një pjesë mendon se ardhja e tyre tregon që këtu gara është e fortë dhe klubet janë të interesuara t’i shuajnë dyshimet për manipulime të mundshme. Në anën tjetër, shumë prej analistëve vlerësojnë se ardhja e gjyqtarëve të huaj do të sillte imazh të keq për gjyqtarët këtu, e sidomos për gjyqtarët që janë me stemë ndërkombëtare dhe gjykojnë në arenën ndërkombëtare. Gjithsesi, tash për tash Federata e Futbollit nuk ka dhënë asnjë sinjal për mundësinë e sjelljes së gjyqtarëve nga jashtë, derisa krejt çfarë do të vazhdojë të bëjë FFK-ja është angazhimi i gjyqtarëve nga Shqipëria dhe Malta me të cilët edhe ka marrëveshje të dyanshme për t’i shkëmbyer gjyqtarët. Gjyqtari kosovar me stemë ndërkombëtare, Genc Nuza, duke mos dashur ta komentojë idenë e sjelljes së gjyqtarëve nga jashtë, ka thënë shkurt. “Edhe edicionin e kaluar ishte e njëjta situatë si tash. Gjithsesi, janë organet kompetente ato që vendosin për këtë gjë”, ka thënë Nuza për gazetën “Kosova Sot”, duke mos dashur të flasë se çfarë ndikimi mund të ketë në karrierën e tyre sjellja e gjyqtarëve nga jashtë.

 Hashani: Këtë vit gjyqtarët janë shumë të mirë

Ish-futbollisti i mirënjohur kosovar, tash trajner, Erdin Hashani beson shumë se ky referim, që është duke u bërë aktualisht në Kosovë, është më i miri i viteve të fundit. Pavarësisht ankesave të mëdha, ai mendon se gjykimi është bukur në nivel. “Ardhja e gjyqtarëve nga jashtë, sa është e dëmshme është edhe e mirë. Gjithsesi, nëse vendosim të sjellim gjyqtarë nga jashtë, në njëfarë forme po i nënçmojmë arbitrat tanë. Mos të harrojmë që nga pas lufta gjykimi në Kosovë këtë vit është më i mirë, normal që ka hapësirë për përmirësim, por që është më mirë, është”, ka thënë Hashani për gazetën “Kosova Sot”, i cili beson se FFK-ja do të sjellë vendimin më të mirë të mundshëm. “Kjo duhet të bëhet me marrëveshje të federatës edhe me aprovimin e tyre. Federata i ka organet që e analizojnë situatën edhe mandej të marrë një vendim, se a është e nevojshme a jo të sjellë gjyqtarët nga jashtë”, ka thënë Hashani.

Zbehet imazhi i gjyqtarëve vendorë

Klubet e Kosovës edhe në të kaluarën kanë pasur ankesa të vazhdueshme në adresë të gjyqtarëve. Këto ankesa kanë vazhduar edhe kur Kosova u pranua në UEFA e FIFA, madje edhe në kohën kur gjyqtarët tanë me stemë të FIFA-s po e ndajnë shumë mirë drejtësinë në arenën ndërkombëtare. Pa asnjë dyshim analistët vlerësojnë se sjellja e gjyqtarëve nga jashtë do të ketë imazh të keq për gjyqtarët tanë në UEFA. Zakonisht shtetet e pazhvilluara në futboll, të cilat vazhdimisht ballafaqohen me telashe, bëjnë kërkesa për gjyqtarë të huaj. Kosova nuk është në atë situatë. Klubet shpesh i dëgjojmë kur thonë se ne kemi gjyqtarë të mirë dhe u besojmë atyre. Nëse është kështu, atëherë duhet vazhduar edhe në praktikë. “Ne, pasi veç kemi gjyqtarë ndërkombëtarë, atëherë pse mos t’u japim rast atyre? Kur FIFA ka besuar në ta dhe i ka licencuar për gara ndërkombëtare, nënkupton se këta janë gjyqtarë të mirë”, ka thënë Hashani, i cili beson se kjo ide nuk do ta tensionojë situatën dhe nuk ka pse të mendohet se është humbur besimi te gjyqtarët. “Kërkesa për gjyqtarë të huaj nuk besoj që do të ketë ndikim negativ. Jemi duke e parë kampionatin më interesant të pasluftës që po na mban tërë kohën nën ethe dhe duhet ta ruajmë këtë ritëm. Unë mendoj se do të ishte mirë që në këto ndeshjet e mbetura të kemi delegim të dirigjuar, dmth arbitrat më të mirë dhe që kanë përvojë më shumë t’u besohen ndeshjet me presion”, ka përfunduar Erdin Hashani.

Klubet e Kosovës, edhe në të kaluarën, kanë pasur ankesa të vazhdueshme në adresë të gjyqtarëve, këto ankesa kanë vazhduar edhe kur Kosova u pranua në UEFA e FIFA, madje edhe në kohën kur gjyqtarët tanë me stemë të FIFA-s po ndajnë shumë mirë drejtësinë në arenën ndërkombëtare

Shumë prej analistëve vlerëson se ardhja e gjyqtarëve të huaj do të sillte imazh të keq për gjyqtarët këtu, e sidomos për gjyqtarët që janë me stemë ndërkombëtare dhe gjykojnë në arenën ndërkombëtare

(Kosova Sot)