Sterling e zbulon planin e Guardiolës për ndeshjen kundër Man Unitedit

  • 24 April 2019 - 10:30
Sterling e zbulon planin e Guardiolës për ndeshjen kundër Man Unitedit

Anësori i Manchester Cityt, Raheem Sterling, ka bërë të ditur se trajneri Pep Guardiola u ka thënë lojtarëve ta shfrytëzojnë zemërimin e eliminimit nga Liga e Kampionëve për ta fituar ndeshjet kundër Manchester Unitedit.

Manchester City u eliminua nga Liga e Kampionëve në mënyrë tejet dramatike kundër Tottenhamit. Përballja përfundoi me rezultat të përgjithshëm 4:4, mirëpo Tottenhami kaloi për shkak të epërsisë të golave të shënuar si mysafir.

Manchester City është në garë të zjarrtë me Liverpoolit për titullin e kampionit të Anglisë, pasi që Liverpooli e mban kreun me një pikë më shumë dhe një ndeshje më shumë të zhvilluar se Manchester City, me vetëm pak ndeshje deri në fund.

Kjo do të thotë që përballja mes Manchester Unitedit dhe Manchester Cityt do të jetë edhe më interesante sesa zakonisht, pasi që “Djajtë e kuq” janë rivali më i vështirë i skuadrës së Pep Guardiolës në katër ndeshjet e fundit.

Manchester Unitedi është i përqendruar ta sigurojë një vend në kuadër të top katërshes së Premierligës, ndërsa Manchester City e do titullin e kësaj gare. Të dyja skuadrat u eliminuan javën e kaluar nga Liga e Kampionëve.

“Pep na ka thënë që të jemi të zemëruar në ditën para ndeshjes. Por, në ditën e ndeshjes të jemi të gatshëm dhe të përqendruar. Ne punojmë shumë gjatë gjithë sezonit, udhëtojmë milje dhe milje të tëra”, është shprehur Sterling.

“Jemi në një situatë të mirë me vetëm pesë ndeshje deri në fund. Nëse dikush do të na i kishte thënë këtë, do t’ia kafshonim duart për t’i luajtur këto ndeshje për t’i fituar tre trofe brenda një sezoni”. 

(Kosova Sot)