Guardiola: E mbështes Solskjaerin

  • 24 April 2019 - 12:10
Guardiola: E mbështes Solskjaerin

Pep Guardiola e ka mbrojtur trajnerin e Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaerin, pas periudhës së vështirë në të cilën po kalon norvegjezi. Spanjolli ka insistuar se ai e mbështet Solskjaerin para takimit të tyre sonte.

Ole Gunnar Solskjaer u sol në pozitën e trajnerit të përkohshëm pasi e zëvendësoi Jose Mourinhon e shkarkuar më 18 dhjetor. Fillimisht, ai e shijoi një ecuri të mirë, duke e humbur vetëm një nga 17 ndeshjet e para dhe arriti në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, përkundër që nuk ishte favorit.

Disfatat radhazi kundër Arsenalit dhe Wolvesit nuk ndikuan në vendimin e Manchester Unitedit dhe klubi e emëroi atë trajner permanent në fund të marsit, mirëpo kjo vijoi me dy fitore dhe katër disfata.

Kjo ecuri ka sjellë shumë dyshime mbi vendimin e klubit për t’ia dhënë Solskjaerit kontratën trevjeçare në Old Trafford. Mirëpo, Guardiola mendon se kjo ecuri e dobët i ndodh çdo trajneri në botë.

“A duhet të vihet në dyshim Solskjaer? Nuk e di, ne trajnerët nuk kemi shumë kohë. E kuptoj pozicionimin e tij në mënyrë të përsosur. Ne jemi të vetëm, unë jam i vetëm dhe për këtë arsye e kuptoj pozitën e tij”, ka thënë Guardiola.

“Kjo gjë më ka ndodhur mua, na ka ndodhur të gjithë trajnerëve në botë. Ne mund ta kontrollojmë këtë nëse fitojmë e nëse jo, atëherë jemi në rrezik. Ky është realiteti, duhet ta pranojmë”.

“Është kështu siç është. Unë e kuptoj në mënyrë të përsosur dhe jam me të. Sinqerisht e mbështes atë”.Manchester Unitedi do ta presë sonte në orën 21:00 në Old Trafford Manchester Cityn. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat, pasi që Unitedi synon një vend në top katërshe, ndërsa City e synon titullin. 

(Kosova Sot)