Meunier, që po kërkohet nga Unitedi: S’është sekret që dua të luaj në Premierligë

  • 24 prill 2019 - 12:40
Meunier, që po kërkohet nga Unitedi: S’është sekret që dua të luaj në Premierligë

Mbrojtësi anësor i Paris Saint-Germainit, Thomas Meunier, ka thënë se ai kurrë nuk e ka mbajtur sekret ëndrrën që të luajë në Premierligë, duke i shtuar kështu spekulimet për interesimin e Manchester Unitedit për të.

Këtë javë u raportua se “Djajtë e kuq” janë të gatshëm të bëjnë ofertë për 27-vjeçarin Thomas Meunier, kontrata e së cilit me Paris Saint-Germainin përfundon në vitin 2020.

Meunier i ka bërë 99 paraqitje për gjigantin francez që kur u transferua nga Club Brugge para tri vjetëve, mirëpo e ardhmja e tij është vënë në dyshim pas që bisedimet mes futbollistit dhe klubit për rinovimin e kontratës s’kanë qenë të suksesshme.

Belgu sugjeroi se ai mund të largohet nga Paris Saint-Germaini gjatë afatit kalimtar të kësaj vere, mirëpo Premierliga nuk është destinacioni i tij i vetëm i mundshëm.

“A ka interesim nga klubet angleze? Po, por jo vetëm nga Anglia. Ka interesim nga çdo vend, madje edhe nga Kina e Lindja e Mesme”, është shprehur Meunier.

Kur u pyet më tutje se a do t’i pëlqente të luajë në Premierligë, ai tha: “Nuk e kam fshehur kurrë këtë gjë”.

(Kosova Sot)