Atletico Madridi ia shtyn festën e titullit Barcelonës të paktën deri në fundjavë

  • 24 April 2019 - 22:06
Atletico Madridi ia shtyn festën e titullit Barcelonës të paktën deri në fundjavë

Atletico Madridi e mundi Valencian 3:2 në një ndeshje dramatike të mërkurën në Wanda Metropolitano, që nënkupton se Barcelona duhet të presë ende për ta festuar mbrojtjen e titullit në La Liga.

Skuadra e Diego Simeones e mundi 3:2 Valencian dhe iu afrua liderit, Barçës, në nëntë pikë, duke ua shtyrë festimin e titullit katalonasve edhe më shumë, raporton Gazeta Express.

Valencia, e cila po lufton për top katërshe në La Liga në përpjekje për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, e barazoi rezultatin dy herë në këtë ndeshje, përmes Kevin Gameiro dhe Dani Parejo, pas golave të Alvaro Morata dhe Antoine Griezmann.

Megjithatë, një gol i vonshëm i Angel Correa ia siguroi fitoren vendasve.

Sikur Atletico të humbiste, Barcelona do të shpallej kampione edhe zyrtarisht.

Por, Barça do ta ketë mundësinë ta bëjë këtë të shtunën, nëse e mund Levanten në Camp Nou, pavarësisht se çfarë bën Atletico në ndeshjen tjetër.

(Kosova Sot)