Në pesë javët e mbetura, FFK-ja duhet ta shtojë sigurinë

  • 25 April 2019 - 08:43
Në pesë javët e mbetura, FFK-ja duhet ta shtojë sigurinë

Javët e mbetura në futbollin kosovar po priten me shumë kureshtje

“FFK-ja në këto 5 javët e mbetura duhet ta shtojë kontrollin nëpër ndeshje. E dimë që edhe gara për ekzistencë është shumë e paqartë dhe për të mos i lënë rastit asgjë, duhet me kohë të merren masat. Ne po shohim shumë ankesa të trajnerëve, megjithatë them se shumë prej tyre janë të pabaza. Trajnerët, si të humbin ndeshjen, fajet ua hedhin gjyqtarëve ose Federatës, kjo tashmë është bërë trend”, ka thënë Arsim Plepolli për gazetën “Kosova Sot”

Kanë mbetur edhe 5 javë deri në mbyllje të kampionatit të Kosovës në futboll, derisa ende asgjë nuk është deshifruar. KEK-u është skuadra e vetme që ka dalë jashtë objektivave dhe tashmë është përshëndetur nga elita e futbollit, derisa të gjitha skuadrat e tjera po luftojnë për një synim, disa për titull e disa për ekzistencë, çka e bën kampionatin vërtet joshës dhe me rivalitet.

Duke e parë që të gjitha objektivat janë të hapura, derisa edhe ankesat e trajnerëve vazhdojnë të jenë të mëdha në adresë të gjyqtarëve, madje deri në atë masë sa po kërkojnë gjyqtarë të huaj, pasi nuk kanë shumë besim në vendorë, analistët vlerësojnë se FFK-ja duhet ta shtojë kontrollin dhe mos t’i lërë asgjë rastit, në mënyrë që gjithçka të kalojë në fazën e korrektësisë.

Presioni i madh, trajnerët po arsyetohen

Ish- futbollisti i mirënjohur kosovar Arsim Plepolli, në një bisedë për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se lufta për titull sivjet është shumë e ashpër, por aq e ashpër duket të jetë edhe ajo për ekzistencë, kështu që komisionet e Federatës së Futbollit të Kosovës, vëmendje të madhe duhet kushtuar edhe pjesës së poshtme të tabelës. Kohëve të fundit jemi dëshmitarë që vazhdimisht flitet për luftën për titull dhe shumë më pak për ekzistencë, kështu që për të mos pasur ndonjë të papritur atje, FFK-ja duhet edhe në ndeshjet e këtyre skuadrave të dërgojë gjyqtarë dhe zyrtarë me përvojë që mund ta menaxhojnë shumë më mirë çfarëdo situate.

“Mendoj se duhet pasur kontrolle shtesë nga ana e FFK-së në këto 5 javët e mbetura. E dimë që edhe gara për ekzistencë është shumë e paqartë dhe për të mos i lënë asgjë rastit, duhet paraprirë gjërave”, ka thënë Plepolli për gazetën “Kosova Sot”, duke komentuar më pas edhe ankesat e trajnerëve në adresë të gjyqtarëve, ku, sipas tij, shumica e ankesave janë të pabaza.

“Sa i përket ankesës së trajnerëve jemi mësuar t’i dëgjojmë vazhdimisht. Si të humbin ndeshjen fajet patjetër duhet t’i ketë ose Federata ose gjyqtarët, kjo tashmë është bërë trend i deklaratave të trajnerëve tanë që gjithmonë gjejnë arsye”, ka thënë Plepolli për gazetën “Kosova Sot”.

Ekzistenca dilemë aq e madhe sa edhe titulli

Sipas Plepollit, edhe lufta për ekzistencë është shumë e paqartë, madje është në të njëjtin nivel sa edhe lufta për titull. Liria është skuadra që po lufton për t’iu shmangur direkt largimit nga Liga, ndërsa tri skuadrat që po luftojnë për t’i ikur barazhit janë Ferizaj, Ballkani e Flamurtari, dy nga këto, sipas të gjitha gjasave, do të luajnë në barazh, edhe pse në pozitë hiq të mirë nuk është as Gjilani. Sipas Plepollit, ndeshjet e ndërsjella të skuadrave të poshtme të tabelës do ta vendosin fatin e tyre, kështu që rivaliteti pritet të jetë shumë i madh.

“Vetë tabela tregon që po bëhet luftë e madhe për ekzistencë. Diferenca është shumë e vogël e pikëve si për titull, barazh e mbijetesë, kështu që unë mendoj që përballjet direkte të skuadrave, që po luftojnë për titull dhe të atyre për ekzistencë, do të vendosin fatin e kampionatit. Tash për tash nuk mund të flitet për favoritë, pasi rivaliteti vërtet është shumë i madh”, ka përfunduar Arsim Plepolli.

(Kosova Sot)