Kush i paguan lëndimet e sportistëve?

  • 25 April 2019 - 08:46
Kush i paguan lëndimet e sportistëve?

Shpeshherë varet nga vullneti i klubeve dhe pronarëve

Sportistët duhet të kenë shumë fat në karrierën e tyre. Lëndimet janë pjesë e sportit dhe shpesh janë të rënda dhe përfundon karriera e një lojtari. Por, në Kosovë, shpeshherë lëndimet nuk janë paguar nga klubet përkatëse dhe lojtarët është dashur që vetë t’i mbulojnë shpenzimet. Kontratat nuk respektohen sa duhet dhe shpeshherë varet nga vullneti i klubeve, apo edhe pronarëve të tyre që në shumë raste kanë treguar vullnetin e mirë të tyre

Pagat në sportin e Kosovës nuk janë shumë të larta. Sikur të mos mjaftonte kjo, sportistët shpeshherë nuk ndihen të mbrojtur në fushë, por edhe në stërvitje, pasi janë të shumta rastet kur shpenzimet i kanë mbuluar vetë. Edhe kontratat nuk respektohen në maksimum, andaj ata shpeshherë janë në mëshirën e fatit dhe të varur nga vullneti i klubit.

Gazetari shumëvjeçar i sportit vendor, Xhavit Kajtazi, shprehet se sportistët duhet mbrojtur siç duhet.“Për një kohë shumë të gjatë riaftësimi i sportistëve të Kosovës pas dëmtimeve është bërë pothuajse si shenjë solidariteti të pjesëtarëve të klubeve dhe jo si obligim dhe detyrim i palëve. Megjithatë, në emër të këtij solidariteti, sikur është shndërruar në ligj të pashkruar se dëmtimet e sportistëve janë brengë e klubeve ku ata i zhvillojnë veprimtaritë.

Kjo fushë është mbase më e kushtueshmja për sportistët dhe sa herë që ata janë uruar për suksese, janë përcjellë edhe me një fjali të shkurtër: paçi fat dhe shëndet... Pra, fati dhe shëndeti gjatë karrierës së tyre pothuajse është parësor, duke qenë se kur t’i kesh të dy këto të mira, suksesi është i pashmangshëm...”, është shprehur Xhavit Kajtazi për gazetën “Kosova Sot”.

Varet nga vullneti i klubeve

Megjithatë, si është e rregulluar kjo çështje dhe a është obligim privat apo detyrim i klubeve? “Këto pyetje dhe shumë të tjera shtrohen edhe sot, kur sporti i Kosovës është ndërkombëtarizur dhe kur të gjitha klubet synojnë të punojnë sipas rregullave që dalin nga aktet normative, që nga Ligji për Sport, aktet e tjera nënligjore e deri te statutet e tyre. Mendoj se vetë sportistët, që lidhin kontratat me klubet duhet ta kenë parasysh pozicionin e sigurimit shëndetësor dhe patjetër duhet t’i lexojnë me kujdes kontratat për të vërtetuar nëse ato kanë përfshirë edhe këtë pozicion, i cili është i kushtueshëm, mbase dhe më i kushtueshmi.

Ka shumë raste të solidarizimit të dashamirëve të sportit me sportistët e dëmtuar, që me kontributin e tyre janë bërë shërime të shtrenjta. Madje, ka raste kur vetë bashkëlojtarët dhe trajnerët kanë dhënë kontributet e tyre financiare për ndërhyrje të kushtueshme. Kjo ka ndodhur dhe do të vazhdojë të ndodhë gjithnjë derisa sportistët të mos këmbëngulin që të nënshkruajnë kontratat e tyre me klubet ku gjithsesi duhet të figurojë edhe një nen apo paragraf që përfshinë sigurimin e tyre shëndetësor, që do të thotë obligimet që ka klubi ndaj sportistëve për sa i përket heqjes së shpenzimeve për trajtim mjekësor”, ka shtuar tutje Xhavit Kajtazi për gazetën “Kosova Sot”.

Pa sigurime shëndetësore

Sportistët në Kosovë nuk kanë sigurime shëndetësore dhe kjo u vështirëson edhe më shumë gjërat.“Shpesh ka ndodhur që kontratat e sportistëve nuk e kanë përfshirë pozicionin e sigurimit shëndetësor dhe riaftësimet e tyre pas dëmtimeve janë bërë nga buxheti vetjak privat, që ka qenë dhe është i kushtueshëm. Ka edhe raste kur periudha e riaftësimit ka qenë e gjatë dhe ata nuk kanë gëzuar benifitet, ndër të cilat janë edhe marrja e rrogave.

Sigurisht me një përqindje mbase më të vogël, sepse ata sportin e kanë profesion (dëmtimi i tyre është bërë në vendin e punës), sikur çdo punëtor i fushave të tjera. Pra, edhe në këtë pikëpamje sportistët duhet të kenë kujdes që kontratat e tyre ta përfshijnë edhe këtë obligim të klubeve, ndryshe do të mbesin me gishtërinj në gojë! Pra, gjithçka që është përfshirë në kontratën e punës, është edhe obligim i ndërsjellë. Dhe, nëse palët nuk u përmbahen obligimeve që dalin nga kontrata, atëherë pala e dëmtuar mund të ushtrojë padi”, ka përfunduar Xhavit Kajtazi për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)