Federata e Anglisë kërkon t’i zbriten nëntë pikë rivalit të Kosovës në EURO, Malit të Zi

  • 25 April 2019 - 10:03
Federata e Anglisë kërkon t’i zbriten nëntë pikë rivalit të Kosovës në EURO, Malit të Zi

Federata e Futbollit të Anglisë e ka mbështetur propozimin e Raheem Sterlingut për t’ia zbritur nëntë pikë ekipit kombëtar të Malit të Zi, por edhe të gjithë skuadrave të tjera, në rastet kur tifozët e tyre bëjnë thirrje raciste gjatë ndeshjeve.

Raheem Sterlingu ishte përballur me thirrje të tilla në ndeshjen e Anglisë kundër Malit të Zi në Podgoricë, ndeshje kjo kualifikuese për Kampionatin Evropian 2020 në kuadër të Grupit A

Përveç Malit të Zi dhe Anglisë, edhe ekipi kombëtar i Kosovës garon në këtë grup, si dhe Bullgaria dhe Republika Çeke.

Sterlingu ka propozuar që çdo klubi dhe ekipi kombëtar që bën sjellje të tilla t’i zbriten nëntë pikë. Ky mbetet vetëm propozim i Sterlingut, ndërsa UEFA pritet ta ndëshkojë Malin e Zi që ta luajë ndeshjen e radhës pa tifozë, që i bie të jetë ndeshja me Kosovën.

“Dënimet duhet të jenë më të rënda pasi që paratë nuk i dëmtojnë klubet e pasura apo federatat e futbollit. Kështu që unë bëj thirrje që t’i zbriten automatikisht nëntë pikë klubeve dhe kombëtareve për thirrje raciste”.

“Tingëllon paska e ashpër, mirëpo a do të bënte sjellje të tillë ndonjë tifoz nëse do e dinte se skuadra e vet e preferuar mund të bie nga liga ose ta humbë një titull? Për më tepër, klubet duhet t’i luajnë tri ndeshjet e radhës pa tifozë”.

“Në këtë mënyrë, ekipet kombëtare do të humbnin pak edhe në aspektin financiar, si ndëshkim i drejtpërdrejtë për sjellje raciste”.

Tani, në mbështetje të këtij propozimi ka dalë edhe Federata e Futbollit të Anglisë.

“Ne e mirëpresim këtë propozim pasi ajo e komplimentin dhe e mbështet atë që ne tashmë jemi duke e bërë për të arritur përfaqësim më të drejtë gjinor dhe etnik në sportin tonë”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga Federata.

“Federata e Futbollit të Anglisë dëshiron ta ndryshojë në aspektin pozitiv futbollit në mënyrë që kjo të reflektojë më mirë në shoqërinë moderne, duke ndihmuar që t’i ulim barrierat dhe t’i frymëzojmë gjeneratat e reja”.

“Ne pajtohemi se duhet të ketë ndryshime radikale në mënyrën e qeverisjes. Vendimmarrja në futboll duhet ta reflektojë diversitetin e mrekullueshme në shoqëri, por edhe në futboll”.

Gjatë javëve të fundit një numër i madh i rasteve të tilla e kanë dëmtuar imazhin e futbollit. Fillimisht, tifozët e Malit të Zi bënë thirrje raciste ndaj futbollistëve të Anglisë në ndeshjen kualifikuese për EURO 2020, në kuadër të Grupit A, ku garon edhe Kosova.

Adoleshenti i Juventusit, Moise Kean, u bë gjithashtu viktimë e thirrjeve raciste nga tifozët e Cagliarit, gjatë fitores 2:0 në Serie A për “Zonjën e Vjetër”. Ai më vonë e shënoi një gol dhe e festoi atë duke i mbajtur krahët e hapur, që shkaktoi edhe më thirrje raciste ndaj tij.

Me thirrje të ngjashme u përball edhe Wilfried Zaha i Crystal Palace në ndeshjen e fundit, ndërsa më parë ishte përballur edhe Raheem Sterlingu, në një ndeshje kundër Chelseat, në dhjetor të vitit të kaluar. 

(Kosova Sot)