Real Madridi hyn në garë për 19-vjeçarin Sancho

  • 25 April 2019 - 13:22
Real Madridi hyn në garë për 19-vjeçarin Sancho

Zinedine Zidane besohet se e ka identifikuar 19-vjeçarin e Borussia Dortmundit, Jadon Sanchon, si prioritet për afatin kalimtar të verës, pasi që francezi dëshiron të shtojë lojtarë të rinj e të talentuar në skuadrën e Real Madridin.

Paraqitjet e Jadon Sanchos këtë sezon kanë bërë që shumë klube të mëdha të Evropës të interesohen për të, ndër të cilat më së shumti Manchester Unitedi. Për ta transferuar anglezin, Real Madridi duhet të bëjë ofertë më të mirë se “Djajtë e kuq”.

Gazeta gjermane, Bild, raporton se Zidane është i gatshëm të plotësojë çfarëdo kriteri financiar që Dortmundi e vendos për Real Madridin. Vlera e Sanchos është rreth 80 milionë euro, mirëpo Dortmundi besohet se kërkon reth 100 milionë euro për ta shitur atë.

Real Madridi ka qenë i drejtuar kah transferimi i lojtarëve më të rinj gjatë viteve të fundit, me transferimin e lojtarëve si Vinicius Junior, Brahim Diaz, Rodrygo (i cili pritet t’i bashkohet Real Madridi këtë verë nga Santosi dhe Andriy Lunin.

Sancho jo vetëm që i përshtatet këtij plani të Real Madridit, mirëpo ai tashmë e ka dëshmuar veten në skenën e madhe të futbollit. Ish-lojtari i Manchester Cityt i ka shënuar 12 gola dhe i ka asistuar 18 të tjera këtë sezon. Në tetor të vitit të kaluar, ai debutoi për ekipin e Anglisë.

Ai është njëri ndër lojtarët në grupin elitar që kanë arritur numra dyshifrorë sa i përket golave dhe asisteve këtë sezon. Në këtë listë, ai radhitet përkrah Lionel Messit dhe Eden Hazardit.

Real Madridi kishte qenë afër ta transferojë Sanchon në vitin 2017, mirëpo lojtari preferoi të transferohet në Dortmund për tetë milionë euro. Adoleshenti tani kushton dukshëm më shumë dhe transferimi i tij do ta vinte edhe më shumë në dyshim të ardhmen e Gareth Bale në Real Madrid. 

(Kosova Sot)