Vidal me rekord që s’e ka as Messi e as Ronaldo

  • 25 April 2019 - 17:44
Vidal me rekord që s’e ka as Messi e as Ronaldo

Këtë fundjavë pritet që Barcelona të kurorëzohet kampione e Spanjës dhe Arturo Vidal do të fitojë titullin e tetë rresht kampion në karrierë, me 3 klube të ndryshme. 

Në periudhën 2011-2015 Vidal u shpall kampion me Juventusin, 2015-2018 me Bayernin dhe këtë sezon me Barcelonën. Një rekord i rrallë, që as Cristiano Ronaldo e Lionel Messi nuk e arrijnë dot, aq më shumë që kiliani këto tituj i ka në 3 klube të ndryshme, diçka më e vështirë se të dalësh 8 herë rresht kampion me Juventusin, për shembull.

Ndonëse sezoni aktual nisi me probleme për Vidal, në muajt e fundit ai është bërë gjithnjë e më i rëndësishëm dhe tashmë Barcelona pritet ta konfirmojë për sezonin e ardhshëm. 

Përveç trofeve në nivel klubi, gjatë kësaj periudhe Vidal ka fituar edhe dy herë Copa America me Kilin, arritje madhështore, ndërkohë që këtë sezon synon të thyejë edhe tabunë e fundit, të shpallet kampion Europe, diçka që nuk e arriti dot te Juventusi dhe Bayerni. Zgjedhje të shkëlqyera karriere, por edhe pak fat! 

(Kosova Sot)