Neymari s’i ka shpaguar 222 milionë eurot e paguara për të

  • 26 April 2019 - 10:25
Neymari s’i ka shpaguar 222 milionë eurot e paguara për të

Superylli, i cili ka pasur shumë probleme me lëndime, nuk ka arritur t’ia shpaguajë Paris Saint-Germainit 222 milionë eurot e paguara për të, para dy vjetëve.

“Investimi që e bëmë sot është afatgjatë dhe jam i sigurt se pas dy apo tre vjetëve, të gjithë do të thonë: “Shikojeni Paris Saint-Germainit, ata kanë bërë punë të mrekullueshme””.

Këto ishin fjalët e pronarit të Paris Saint-Germainit, Nasser Al-Khelaifi, pas transferimit të superyllit brazilian, Neymar, nga Barcelona, shkruan Goal.com.

222 milionë eurot që PSG-ja i ka paguar për ta transferuar Neymarin në vitin 2017 është ende shuma më e lartë e paguar për ndonjë futbollist në histori të këtij sporti. Në atë kohë, ajo ishte më shumë se dyfishi i shumës më të lartë për ndonjë futbollist.

Kjo shumë e lartë e paguar për Neymarin erdhi si reagim i pronarëve të Paris Saint-Germainit ndaj dështimit në sezonin paraprak të Ligue 1, 2016/17, kur e humbën titullin e ligës kundër Monacos dhe u tronditën nga Barcelona në fazën e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve.

Përkundër që PSG-ja e fitoi me rezultat 4:0 ndeshjet e parë kundër Barcelonës në Paris, Neymari kishte qenë ylli në përmbysjen e jashtëzakonshme të rezultatit në ndeshjen kthyese, në Camp Nou. Ai shënoi në minutën e 88-të dhe të 91-të, para se goli i Sergi Robertos në minutën e 95-të t’ia fitonte Barcelonës ndeshjen me rezultat 6;1.

Pas kësaj, Paris Saint-Germaini vendosi se ishte pikërisht ylli brazilian ai që mund ta sjelltë madhështinë e titullit të Ligës së Kampionëve në Parc des Princes. Titulli i kësaj gare evropiane mbetet ende ëndrra e klubit francez.

Por, tani, dy vjet më vonë, Kylian Mbappe e festoi titullin e dytë të Ligue 1 me PSG-në, duke shënuar het-trik ndaj Monacos. AI tani i ka 30 gola në 27 ndeshej të ligës, vetëm tri më pak se golashënuesi më i mirë në Evropë, Lionel Messi. Ndërsa, Neymari u fut në pjesën e dytë për ta luajtur ndeshjen e tij të parë që nga janari, kur e kishte lënduar këmbën.

Edhe një herë, Neymari, i cili ishte transferuar për të qenë ylli kryesor i skuadrës, mbeti nën hijen e 20-vjeçarit Mbappe. Shqetësimi i PSG-së është që Neymari nuk po arrin të luajë një rol më të madh në skuadër për shkak të lëndimeve që e kanë dëmtuar atë që nga transferimi në PSG.

Ndeshja kundër Monacos ishte vetëm e 14-ta për Neymarin këtë sezon. Ai ka munguar në 17 nga 19 ndeshjet e fundit të klubit francez në Ligue 1 për shkak të lëndimeve, si dhe i humbi ndeshjet kundër Manchester Unitedit, që e eliminoi PSG-në nga Liga e Kampionëve.

Ajo që e bën situatën edhe më shqetësuese në PSG-në është se e njëjta histori ndodhi edhe sezonin e kaluar dhe problemet e Neymarit me lëndime bënë që ai të mungojë në shumë ndeshje të sezonit.

Edhe pse PSG-ja arriti ta rrëmbejë titullin e Ligue 1 në sezonin 2017/18, Neymari i kishte luajtur vetëm 20 ndeshje për shkak të lëndimit që ia pamundësoi atij të luajë në tre muajt e fundit të sezonit.

Në total, Neymari ka munguar në 51 nga 105 ndeshjet e Paris Saint-Germainit që kur u transferua në Paris. Këto mungesa erdhën si pasojë e lëndimeve, suspendimeve, por edhe për shkak se trajneri ia kishte dhënë pushim.

Por, kur është në gjendje të mirë shëndetësore, Neymari ka performuar në një nivel të jashtëzakonshëm, duke i shënuar 48 gola dhe duke i asistuar 27 të tjera në 54 ndeshjet e zhvilluara me PSG-në. Gjatë këtyre, ai i fitoi dy tituj të Ligue 1, si dhe të dy titujt e kupave të Francës sezonin e kaluar.

Mirëpo, Neymari nuk u transferua për ta sjellë suksesin vendor në një klub që e kishte fituar kampionatin në katër nga pesë sezonet para se braziliani t’i bashkohej atyre. Këtë gjë e kishte bërë të ditur Al-Khelaifi qysh ditën e transferimit të Neymarit.

“Sot, me transferimin e Neymarit, unë jam i bindur se kemi ardhur edhe më afër ëndrrën tonë më të madhe, përmes edhe mbështetjes të tifozëve tanë besnikë”, kishte thënë Al-Khelaifi.

Çdo klub evropian ëndërron ta fitojë titullin e Ligës së Kampionëve dhe PSG-ja nuk ka arritur asnjë hap më afër këtij titulli pas transferimit të yllit brazilian. Për shkak të çmimit të tij, Neymari gjykohet në ndeshjet më të mëdha të PSG-së – ngjashëm siç ndodh me Cristiano Ronaldon në Juventus dhe me Paul Pogbën në Manchester United.

(Kosova Sot)