Pogba po e ndan zhveshtoren e Man Unitedit

  • 26 April 2019 - 10:27
Pogba po e ndan zhveshtoren e Man Unitedit

Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, raportohet se e ka humbur kontrollin e yllit të skuadrës, Paul Pogbës.

Mesfushori francez i “Djajve të kuq” mund të jetë duke e kërkuar largimin nga Manchester Unitedi gjatë afatit kalimtar të verës, pasi që ai ka filluar t’i ndajë lojtarët në zhveshtore, shkruan The Sun.

Përkundër tentimeve të Ole Gunnar Solskjaerit për ta dëshmuar autoritetin e tij në zhveshtore, trajneri norvegjez besohet se nuk po arrin ta kontrollojë francezin, i cili nuk është i kënaqur me ecurinë e fundit të klubit.

Pogba dëshiron të transferohet në Real Madrid qysh gjatë afatit kalimtar të verës dhe menaxheri i tij, Mino Raiola, e anuloi një takim me Manchester Unitedin javën e kaluar, duke e lënë të kuptohet se francezi dëshiron të largohet nga Old Traffordi.

L’Equipe pretendon se largimi i Pogbës nga Manchester Unitedi tashmë është programuar pasi që janë ngritur edhe më shumë dyshime për të ardhmen e tij në klub. Gazeta franceze shton se Pogba dëshiron të garojë në Ligën e Kampionëve vazhdimisht dhe i pëlqen ideja e të luajturit nën Zidanin në Bernabeu.

Pogba e kishte refuzuar një ofertë nga Real Madridi në vitin 2016, kur vendosi që të kthehet në Old Trafford nga Juventusi, për një shumë që atëherë e bëri francezin lojtarin më të shtrenjtë në botë, 105 milionë euro.

Revista franceze, France Football, raporton se përkundër që Pogbës i pëlqen të luajë nën drejtimin e Ole Gunnar Solskjaerit, Real Madridi nuk i është larguar nga mendja, pasi që beson se ky transferim do t’ia rriste gjasat për ta fituar Topin e Artë.

France Football vazhdon duke shkruar se 26-vjeçari beson se është në moshën e përsosur për t’u transferuar në Real Madrid e madje as qëllimi i trajnerit Solskjaer për ta ndërtuar skuadrën e Manchester Unitedit rreth tij nuk ia ka ndryshuar mendjen për këtë gjë.

(Kosova Sot)