Rimeçi Khabib – McGregor? Flet kryetari i UFC-së

  • 26 April 2019 - 13:50
Rimeçi Khabib – McGregor? Flet kryetari i UFC-së

Conor McGregor dhe Khabib Nurmagomedovi nuk e kishin pëlqyer asnjëherë njëri-tjetrin, mirëpo kryetari i UFC-së, Dana White, thotë se ata do ta respektojnë njëri-tjetrin ndonjë ditë, duke sugjeruar se do të ketë rimeç.

Dy luftëtarët e UFC-së, Khabib Nurmagomedovi dhe Conor McGregor, e kishin filluar luftën e tyre jashtë ringut tetëkëndësh shumë kohë para se ta zhvillonin meçin në UFC 229.

Mirëpo, në meç, Nurmagomedovi e mposhti McGregorin, duke e mbrojtur titullin e kampionit. Irlandezi u dorëzua në rundin e katërt dhe menjëherë pas kësaj filloi një përleshje me pjesëtarët e stafit të të dy luftëtarëve.

Megjithatë, presidenti i UFC-së beson se dy luftëtarët e peshave të lehta në artet e përziera marciale do ta respektojnë njëri-tjetrin ndonjë ditë.

“Nuk mendoj se ata të dy do të jenë shokë dhe do të shkojnë të hanë darkë e të bëjnë gjëra të tilla së bashku. Por, më dëgjoni, kur ndeshesh me dikë për shtatë, tetë, nëntë, apo dhjetë runde, gjithmonë ka respekt”, ka thënë White.

“Mendoj se ndonjë ditë do të vijmë te kjo pikë, kur këta të dy do ta fitojnë këtë respekt për njëri-tjetrin. Atyre nuk ka nevojë t’u pëlqejë njëri-tjetri”.

Megjithatë, para një rimeçi të mundur mes këtyre të dyve, Nurmagomedovi do të ndeshet me Dustin Poirierin, kundër të cilit synon të bëhet kampion i unifikuar i peshave të lehta në artet e përziera marciale. 

(Kosova Sot)