Nainggolan: Juventusi më kërkoi

  • 26 April 2019 - 14:08
Nainggolan: Juventusi më kërkoi

Mesfushori i Interit, Radja Nainggolan, pretendon se Juventusi kishte dëshiruar ta transferonte atë në të kaluarën, mirëpo ai preferon të përballet me ekipet më të mirë dhe t’i mposhtë ato.

Radja Nainggolan i dha fund spekulimeve për të ardhmen e tij verën e kaluar, kur u transferua nga Roma në Inter, mirëpo mesfushori belg ka zbuluar tani se ai mund të kishte qenë lojtar i Juventusit.

“Ndeshjet kundër Juventusit kanë qenë gjithmonë të veçanta për mua sepse ata më kanë shikuar shpeshherë në të kaluarën dhe asgjë nuk ndodhi pastaj”, ka thënë Nainggolan në një intervistë për DAZN.

“Preferoj të përballen me ekipet më të mira dhe të tentoj t’i mposht ata. Kjo është diçka që e kam pasur gjithmonë në mendje”.

Dy skuadrat do të përballen të shtunën në Derby d’Italia dhe 30-vjeçari  u pyet se çfarë do të thoshte për të fitorja kundër Juventusit.

“Juventusi ka qenë skuadra më e mirë tash e shumë vite. Mendoj se çdo skuadër dëshiron t’i mposhtë ata. Për ne, kjo ndeshje është e rëndësishme për renditjen në tabelë”.

“Ata veçse e kanë siguruar titullin e kampionit të Serie A, mirëpo kjo nuk ndryshon asgjë për ne sepse gjëja më e rëndësishme është që ne ta arrijmë qëllimin tonë”. 

(Kosova Sot)