Spalletti thotë se Interi është gati për Juventusin

  • 26 April 2019 - 19:00
Spalletti thotë se Interi është gati për Juventusin

Luciano Spalletti synon të blindojë vendin e tretë në kampionat. Nëse ky objektiv do të arrihej duke mposhtur Juventusin, kjo do ta bënte më të ëmbël fundin e këtij sezoni, që nuk i ka dhuruar shumë  gëzime zikaltërve.

Trajneri nuk ka dashur të zbulojë asgjë në lidhje me formacionin titullar, por ka folur për dy sulmuesit e ekipit.

Interi dhe juventusi përballen të shtunën mbrëma në “Giuseppe Meazza” nga ora 20:30. 

“Nuk thuhet kush luan nesër, janë të gjithë në dispozicion. Lautaro ka vënë në praktikë rritjen e tij në bazë të cilësive që ka. Është gati të jetë një pikë referimi, është një nga ata që di të marrë përgjegjësi mbi veten, gjë që i duhet Interit”, tha ai.

Inter-Juventus mbetet një ndeshje speciale për tifozët dhe për të gjithë futbollin italian.

“Kjo ndeshje është e rëndësishme, kështu ka qenë gjithmonë për futbollin tonë. Luhet gjithë vitin në lokale, dyqane, zyra, kur njerëzit janë me pushime”, ka thënë Spalletti. 

“Këto dy skuadra përfaqësojnë dy pole të kundërta të pasionit për futbollin. Ka qenë gjithmonë një nga manifestet më të rëndësishme të kampionatit tonë. Është e rëndësishme që të bëjmë mirë, duke parë se ata kanë qenë gjithmonë para nesh në vitet e fundit”.

(Kosova Sot)