Klopp: S’kam menduar për asnjë sekondë për Barcelonën

  • 27 April 2019 - 09:13
Klopp: S’kam menduar për asnjë sekondë për Barcelonën

Klopp beson se është e mundshme që Liverpooli ta mposhtë Barcelonën në “Camp Nou”, edhe pse e di fort mirë se çfarë stadiumi është ai për kundërshtarët.

Jurgen Klopp ka bërë të ditur se ende s’e ka përgatitur skuadrën për Barcelonën, pasi në radhë të parë, për të, kanë qenë ndeshjet në Premierligë, duke konfirmuar se tani është koha të përgatiten për ndeshjen gjysmëfinale të Champions League.

Liverpooli ka shkëlqyer mbrëmë kundër Huddersfield Town, duke rrëmbyer kreun e Premierligës për pak çaste – Sadio Mane dhe Mohamed Salah realizuan nga dy gola në fitoren 5-0, ndërsa rezultati u zhbllokua pas 15 sekondave lojë nga Naby Keita.

Kundërshtari i radhës është Barça, me të cilën do të përballen në Camp Nou. Klopp refuzon të ketë menduar për këtë ndeshje, duke parë luftën që po bëhet për titull në Angli.

“A mund ta imagjinoni, s’kam menduar për asnjë sekondë për Barcelonën deri më tani”, tha mbrëmë Klopp për Sky Sports. “I pash ata në jetën time rreth 100 herë, por s’kam menduar për ta për asnjë sekondë”.

“Tani do të mendojmë, kemi pesë ditë përpara ndeshjes, mjaftueshëm për të pushuar, stërvitur dhe për t’u rikuperuar”.

“Shumë ekipe kanë tentuar të fitojnë atje, por nuk ia kanë dal. Nuk është se mund të ndodh për ne, por është e mundshme. Do të kemi një plan sigurisht, por asnjë të duhur në këtë moment”. 

(Kosova Sot)