IPKO Superliga, s’ka vend për gabime për Feronikelin, Prishtinën dhe Llapin

  • 27 April 2019 - 09:43
IPKO Superliga, s’ka vend për gabime për Feronikelin, Prishtinën dhe Llapin

Tri skuadrat pretendente për titull të kampionit, Feronikeli, Prishtina dhe Llapi do të luajnë në shtëpi në xhiron e 29-të të IPKO Superligës.

Duke e pasur parasysh se diferenca në mes tyre është mjaft e ngushtë, asnjëra prej tyre nuk ka vend për gabime këtë fundjavë.

Feronikeli është mikpritës i Gjilanit të shtunën në Drenas.

Ekipi Gjelbër e Bardhë do t’i kërkojë tri pikët e radhës për ta ruajtur kreun e tabelës, ndërsa pikët iu nevojiten edhe gjilanasve, pasi ata e shohin veten afër zonës së barazhit.

Prishtina do të ketë punë me Drenicën të dielën mbrëma në kryeqytet.

As Bardhekaltrit s’guxojnë të kiksojnë pasi mund të ngecin prapa.

Nga ana tjetër, Kuqezinjtë janë paksa më të relaksuar pasi gjenden gjashtë pikë larg barazhit.

Kurse, Llapi do ta presë Dritën të shtunën në “Zahir Pajaziti”.

Kampionia aktuale nuk e kaloi një sezon të mirë dhe sipas të gjitha gjasave do të përfundojë në pozitën e katërt në tabelë.

Por, gjilanasit kanë kualitet thuajse të njëjtë me tri skuadrat kryesuese dhe mund të jetë pikërisht Drita përcaktuese për titull të kampionit pasi në tri xhirot e ardhshme ajo luan me tri skuadrat që e kërkojnë titullin, Llapin, Prishtinës e Feronikelin.

Duelet tjera do të jenë të vlefshme kryesisht për mbijetesë.

Përballja kryesore e pjesës së poshtme të tabelës do të jetë ajo në mes të Ballkanit dhe Ferizajt, dy skuadra këto që po mundohen t’i shmangen barazhit.

Nga situata do të mundohet të përfitojë Flamurtari, i cili pret fitore në shtëpi ndaj KEK-ut.

Kurse, Liria me një tjetër gabim eventual në Mitrovicë kundër Trepçës ’89 mund t’i afrohet edhe më shumë Ligës së Parë.

Edhe këtë xhiro, ndeshjet e IPKO Superligës së Kosovës do t’i transmetojë platforma televizive IPKO përmes kanaleve të Super Sport Kosova.

IPKO Superliga – Java e 29-të
SSK1 E shtunë 15:30 Feronikeli – Gjilani
SSK2 E shtunë 15:30 Llapi – Drita
SSK3 E shtunë 15:30 Ballkani – Ferizaj
SSK1 E diel 19:00 Prishtina – Drenica

E diel 15:30 Trepça ’89 – Liria
E hënë 15:30 Flamurtari – KEK-u

(Kosova Sot)