Martinez: Ëndrra ime është të fitoj titullin me Interin

  • 27 April 2019 - 11:18
Martinez: Ëndrra ime është të fitoj titullin me Interin

Sot në mbrëmje, në “San Siro”, luhet Deri i Italisë mes Interit e Juventusit dhe zikaltrit do të kërkojnë pikë të vlefshme për kualifikim në Ligën e Kampionëve.

Luciano Spalletti bazohet në urinë dhe dëshirën e Lautaro Martinez për gola.

Argjentinasi është intervistuar nga “Gazzetta dello Sport” dhe e nisi nga hapat e parë tek Interi, që nuk ishin aspak të lehtë.

“Në përgatitjet parsezonale luaja dhe shënoja shumë, pastaj e pashë veten në stolin e rezervave. Në ato momente, gjithçka më vinte në mendje. Unë vija nga Racing, ku kisha luajtur gjithmonë. Kisha një monument para meje, si Icardi, kapiteni dhe golashënuesi më i mirë. E dija se do të ishte e vështirë të luaja, herë pas here mendoja se kurrë nuk do t’ia dilja. Sidoqoftë, duke folur me familjen time, besimi nuk më ka munguar kurrë”, tha ai.

Lautaro Martinez pastaj foli për një lojtar, i cili është lidhur shpesh me Interin, javët e fundit, Paulo Dybala. Sidoqoftë, “Joya” nuk do të jetë në “San Siro” sonte.

“Paulo është një lojtar i mrekullueshëm, me të cilin gjithmonë do të doja të luaja. Ai të ndihmon të përmirësoheni dhe të shënoni më shumë. Për të ardhmen e tij nuk mund të them asgjë…”

Për Lautaron vjen momenti i përballjes së parë si protagonist me Juventusin, por argjentinasi sheh që tani nga sezoni i ardhshëm.

“Duke parë pikët, duket sikur diferenca është e madhe. Jemi të vetëdijshëm, por sezonin e ardhshëm do të duhet ta ndryshojmë këtë gjë. Jemi një klub i madh, kemi detyrimin të ndryshojmë. Ëndrra ime e madhe është të fitoj titullin me Interin, por nuk mjaftojnë fjalët për t’ia dalë mbanë. Duhet të bindemi të gjithë psikologjikisht: tifozët, drejtuesit dhe ne lojtarët”.

(Kosova Sot)